Nga Jeta Toçila/ Trishtimi për fatin e një fëmije!

Shkrime

Mëngjeseve në fundjavë ulem të pi kafe me fëmijët e mi në një bar të këndshëm të lagjes ku banoj. Bari është me vetrata të hapura dhe duket sikur je në rrugë, kjo është edhe arsyeja që ndërsa klientët konsumojnë çka kanë porositur faniten në tryeza fëmijë apo të rritur me dorën e zgjatur për lëmoshë. Ka syresh që edhe të prekin, sigurisht me duar të palara. Meraklinjtë bezdisen, me të drejtë kontakti fizik i lejohet dikujt që ke njohje apo intimitet. Por lypësit nuk i njohin teoritë e distancës personale, ata thjesht mësojnë të lejueshmen dhe të ndaluarën përmes reagimeve të klientëve. Ka nga ata që të shohin në sy dhe nuk të afrohen sapo dallojnë përçmimin. Ka të tjerë që përqëndrojnë shikimin vetëm në tavolinë ndërkohë që zgjasin dorën derisa të marrin diçka. Ka që presin derisa të përdoret dhunë verbale ndaj tyre, ka raste edhe ndonjë shtyrje. Ka nga ata që kanë diçka për të shitur. Këta janë më të sigurt kur qasen. Të ofrojnë mallin në këmbim të një monedhe. Ka klientë që joshen ose pranojnë të joshen nga ky pazar, duke vlerësuar dinjitetin e tregtarit të vogël. Ka klientë të tjerë që para se të vendosin për mallin, bisedojnë me shitësin jo për çmimin qesharak, por për gjithçka tjetër të jetës së tij. Pak njerëzillik edhe duhet!
Kështu bëra edhe unë një ditë, mëkatova, tradhëtova egoizmin tim, statusin tim dhe i buzëqesha lypësit të vogël, i cili me zgjuarsinë e fituar rrugëve të Tiranës, kuptoi që ishim një tavolinë miqësore.
Siç e kanë fëmijët stilin e qasjes ndaj njëri-tjetrit edhe Ronaldo (le ta quajmë “Ronaldo”, meqënëse kështu quhej futbollisti i tij i preferuar), nuk ndryshoi shumë, vetëm se me një dozë më të madhe ngurrimi. I tërhoqi vëmendjen një lodër e tim biri dhe ndoshta e dëshiroi atë. Me zë të ulët e pyeta djalin nëse mund t’ia falte djaloshit lodrën e tij, por ideja nuk qëlloi të ishte e mirë. Pasi negociuam vendosëm ti japim diçka tjetër. Ky ndërveprim mjaftoi që Ronaldos ti ndriçonin sytë e jeshilta, tamam si personazheve migjeniane. Ai falenderoi me ndrojtje dhe na tregoi se sa shumë dëshirë kishte të mësonte. I kujtonte me mall ditët kur kishte hyrë në shkollë, por pak muaj më vonë, i ati e kishte nxjerrë në rrugë. Kishte plot motra e vëllezër, babai i tij kontrollonte plehërat, ndërsa nëna shiste plaçka andej nga spitalet. Më siguroi se po të doja mund të më lajmëronte kur nëna e tij të hapte dëngun. Ronaldo qëndroi disa minuta me ne dhe u largua duke përshëndetur me një delikatesë, e cila iu zhduk sakaq në tavolinën e rradhës.
Bashkë me fëmijët e mi, kaluam një çast në heshtje, në pritje të asaj që vjen më pas. Trishtimi për fatin e një fëmije!
Për të drejtat e fëmijëve shqyhen shoqatat në media duke i mbrojtur me zell, çirren qeveritarët natë e ditë t’ua garantojnë, madje duke i mbajtur edhe hopa, hartojnë dhe miratojnë ligje apo medemek përmirësojnë ato që kanë miratuar më herët, udhëtojnë e fluturojnë çdo muaj nëpër botë, duke raportuar statistika të rreme seminareve dhe konferencave sesa avangardë janë.
Kur vjen puna tek jeta reale e fëmijëve në situatë rruge, siç u pëlqen ti quajnë me mirësjellje nëpër shkresa, vrima në ujë është gjëja më e madhe që arrijnë të bëjnë.
Ronaldo kishte ëndrra e dëshira si çdo fëmijë. Ai nuk ëndërronte një kuti më të madhe si karikatura e famshme e lypësit. Ai ëndërronte sikur fluturonte …vetëm se …një palë krahë i duheshin!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?