Aktualitet

Drejtoria Arsimore bën tender benzine, kur në inventar ka vetëm makina me naftë

Ola Mitre

Analisti i APPA: KLSH konstatoi edhe shkelje të tjera, “u vodh” 2% i tatimit të të ardhurave, Xhemollari: Abuzim me paratë publike.
Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës, përmes proceduarve të prokurimit publik ka blerë benzol, ndërkohë që në inventarin e këtij institucioni ka vetëm makina me naftë”. Kjo është një prej shkeljeve të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë kontrollit të kryer në DAR Tiranë për vitin 2016, ndërkohë që ai bëhet publik për “Gazeta Shqiptare” nga Rigels Xhemollari, analist pranë Platformës Shqiptare për Advokim Politikash. “Kur flasim për abuzime me tenderë të zakonshëm apo të jashtëzakonshëm, siç janë ata të 3 P-ve (Partneriteti Publik Privat) na vijnë ndërmend koncesionet e bëra publike dhe akuzat politike që qarkullojnë midis forcave politike. Në të vërtetë nuk abuzohet vetëm atje ku shifrat i kalojnë milionat e eurove, atje ku media është prezent, por ka edhe vjedhje më të vogla dhe më të shpeshta të parave publike nga ana e zyrtarëve të shtetit”,- shprehet Xhemollari. “Nëse do të fokusohemi tek arsimi parauniversitar, duke iu referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të ushtruar pranë DAR Tiranë për vitin 2016 do të na habisë fakti se si institucioni që ne presim edukim, vjedh kaq hapur paratë publike. Nga dhjetëra abuzimet që i janë gjetur DAR Tiranë, po përmend vetëm tre për të kuptuar se sa thellë është ngulur fenomeni i korrupsionit në mendjet e zyrtarëve tanë publikë që e konsiderojnë pasurinë publike si pronë vetjake. DAR Tiranë ka blerë rreth 2.5 milionë lekë të vjetra benzol pa plumb ndërkohë që në inventarin e saj ka vetëm makina me naftë”,- shton ai. Ndërkaq, raporti mbi 50 faqesh i KLSH-së ka konstatuar edhe shkelje të tjera të kryera nga ky institucion, me paratë publike. “DAR Tiranë ka kryer transaksione të paautorizuara në emër të punonjësve pranë kompanive private për përdorimin personal të celularëve dhe shlyerjen e kredive të marra nga këta punonjës te bankat e nivelit të dytë me ndërmjetësimin e Shoqatës “Kursim Krediti -Mësuesi”. Këto veprime faktojnë interesin që kanë pasur drejtuesit e këtij institucioni për të shlyer këto pagesa në emër të punonjësve të tyre pa miratimin e këtyre të fundit”,- bën me dije Xhemollari. Ndërkaq, një tjetër shkelje e konstatuar ka të bëjë me tatimin mbi të ardhurat. “Të gjithë arsimtarëve që kanë marrë paga dhe shpërblime të tatuara në burim, nuk janë derdhur për llogari të shtetit 15% e shumës, por 13%. Ky fakt zbulon paligjshmërinë dhe abuzimin me 2% e mbajtur mbi vlerën e pagës apo shpërblimit”, thotë analisti i Platformës Shqiptare për Advokim Politikash.
MAS
Ndërkaq, teksa analizon shkeljet e kryera me paratë publike, Xhemollari e vë theksin te Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe te projekti i vitit 2014, ku qeveria shqiptare mori një kredi prej 3.5 milionë eurosh nga banka austriake, UniCredit, për të blerë tableta “me justifikimin e përfshirjes së teknologjisë në ato që i quante 120 klasat “inteligjente””. “Sot 15 gjimnazet dhe 54 shkollat 9-vjeçare të Tiranës nuk kanë laboratorë kimie, fizike apo biologjie, për shkak të mungesës së investimeve nga të gjitha qeveritë për arsimin parauniversitar dhe me paratë e shpenzuara për tabletat e magazinës tashmë mund të ishin ndërtuar dhjetëra laboratorë të shkencave natyrore që të punonin të gjithë nxënësit, por siç duket tenderi, klienti dhe show ishin të garantuara me lëvizjen “inteligjente” të kësaj qeverie”, – thotë Xhemollari.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?