Përdridhet Duka : Qeveri teknike edhe me Edi Ramën kryeministër

0

Erjon SKËNDAJ

Aleati i Lulzim Bashës, Agron Duka, mendon se kryeopozitari do të duhej të pranonte platformën ndërkombëtare të zgjidhjes të ofruar për kompromis nga të dërguarit e Brukselit, McAllister dhe Hanh. I ftuar në forumin e hapur të organizuar nga UET Kreu i Partisë Agrare Ambjentaliste u shpreh se opozita duhet të marrë disa garanci për zgjedhjet me një qeveri teknike dhe të pranojë të hyjë në zgjedhje edhe me Edi Ramën kryeministër.

“Unë do t’a pranoja, me pak ndryshime. Mund të pranoja që të shkonim në zgjedhje me të njëjtin kryeministër dhe që qeveria teknike të jetë reale,  teknike jo me njerëz të përcaktuar nga Rama, siç është bërë oferta, edhe natyrisht të kishte një datë tjetër zgjedhjesh sepse në këtë datë janë të pamundura. Plus të paktën numërimin elektronik. Votimi elektronik mund të jetë i vështirë për shkak të kohës por numërimi elektronik në mënyrë taksative. Janë mbi 50 parti, ku dhe më e vogla lodhet, ka njerëzit e saj, simpatizantët e saj dhe nuk i numërohen votat. Dihet eksperienca në zgjedhjet e kaluara që këto partitë e vogla nuk e fitojnë as votën e vet sepse e ndajnë nëse janë majtas e marrin të majtët, nëse janë djathtas e marrin të djathtët”- tha Duka i pyetur nëse do t’a pranonte ai ofertën që refuzoi Basha një javë më parë.

Në përgjigje të pyetjeve nga auditori Duka u shpreh optimist për arritjen e një kompromisi të orëve të fundit ndërsa ai vetë la të hapur mundësinë e pjesëmarrjes së partisë së tij në zgjedhje duke pranuar se brenda partisë ka dy qëndrime për çështjen.

 Ka njerëz që mendojnë se kjo mund të na rëndojë politikisht në të ardhmen, ka njerëz që mendojnë nëse ne hyjmë, legjitimojmë mazhorancën, i biem ndesh atyre që kemi thënë tashmë që nuk ka situatë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por kjo mazhorancë që mund të krijohet mund të ketë një jetëgjatësi të shkurtër, e cila mund të ketë një kosto negative për të ardhmen politike. Ne jemi pikërisht në këtë lloj diskutimi nuk po e gjejmë dot cila është më e mira. Na kanë mbetur dhe 3-4 orë për të biseduar dhe për të vendosur.”

Duka thotë se ka rezervat edhe për aksionin e paralajmëruar nga kreu i PD-së  Lulzim Basha në Kavajë.

 “Për protestën në Kavajë unë vazhdimisht them që duhet të jemi shumë të matur sepse importimi i njerëzve militantë nga rrethet në drejtim të Kavajës mund të sjelli ndonjë incident. Për këtë përgjegjësia do të jetë e gjitha e politikës përfshirë këtu dhe mazhorancën. Gjithsesi populli di t’i vlerësojë udhëheqësit politik në këto momente. Unë i kam bërë thirrje simpatizantëve të PAA-së të cilët janë të lirë gjithësecili sipas mendimit të tyre nëse mund të marrin pjesë ose jo, por gjithmonë iu kam bërë thirrje për maturi sepse nuk besoj se ka përfitim asnjë pjesë e politikës nëse nga protesta të tilla mund të ketë incidente, konfrontime fizike etj., sepse mund të sjelli destabilizim dhe pasojat e destabilizimit i pësojmë të gjithë përfshirë edhe mua sepse edhe unë përveç politikës kam investime të qëndrueshme në Shqipëri, pothuajse në të gjithë vendin. Kështu që askush nuk ka leverdi nga destabilizimi”- u shpreh Duka.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author

Leave a Reply

avatar
  Subscribe  
Notify of