Analize

Nga Indrit Vokshi: Pse presidenti nuk duhet të zgjidhet nga populli

Në Shqipëri, as kryeministri nuk zgjidhet nga populli. Megjithatë, meqenëse zakonisht pretendenti për kryeministër ndodh të jetë kryetari i partisë që fiton më shumë mandate në parlament, kuptohet se cilin do të zgjedhë parlamenti si kryeministër.

Ne mund edhe ta zgjedhim presidentin nga populli por lind pyetja me çfarë arsyetimi?

Vota është politike dhe nuk mund ta humbë kuptimin e saj politik. Ndaj ajo u jepet vetëm institucioneve politike, me fuqi për të jetësuar politika e për të ndikuar në jetën e njerëzve.

Populli nëpërmjet votës ia transferon parlamentit pushtetin e tij, sepse parlamenti është institucion politik.

Parlamenti mandej, zgjedh edhe qeverinë, edhe presidentin, kryeprokurorin, anëtarët e gjykatave, kreun e ILDKP, Drejtorin e KLSH, Avokatin e Popullit. Edhe presidenti pavarësisht se quhet institucion politik, sot është më shumë thjesht kushtetues, si institucionet e lartpërmendura.

Në Shqipëri, z.Blushi me populizëm thotë se parlamenti duhet të ndajë pushtet me popullin duke ia lënë popullit zgjedhjen e presidentit. Po çfarë pushteti do të ndajë parlamenti me popullin në ketë rast, kur presidenti nuk ka pushtet?

E vetmja situatë kur do të kishte kuptim që presidenti të zgjidhej nga populli do të ishte nëse presidentit do t’i jepeshin fuqi për të nxjerrë akte që do të ndikonin në ekonomi, rend, siguri dhe politikën e jashtme. Këtu do të merrte vlerë edhe vota e dhënë për presidentin.

Në Francë dhe SHBA, ku presidenti zgjidhet nga populli, presidenti është kryetar i qeverisë me pushtet autonom, po themi. Pra nëse parlamenti duhet të ndajë pushtet me popullin, duhet të ndajë pushtet real, duke i dhënë presidentit kopetenca, si kryetar i qeverisë. Përndryshe çfarë kuptimi do të kishte që presidentit t’i jepej votë për të akorduar dekorata, dekoruar ministra etj.

Dhe pushteti real për presidentin, ose e suprimon kryeministrin, ose e vë në pozicion bashkëqeverisës me presidentin, siç ndodh në Francë ku presidenti si kryetar i qeverisë, drejton qeverinë nëpërmjet kryeministrit i cili zgjidhet nga parlamenti dhe, kryeministri është ura lidhëse, akti i marrëveshjes mes presidentit dhe parlamentit.

Mirpo, modeli semipresidencial francez na çon tek koabitacioni i famshëm, ku mund të ndodhë që presidenti i zgjedhur nga populli të jetë i majtë, kurse parlamenti i zgjedhur veçmas mund të ketë dominancë të djathtë. A mund të bashkëqeveriset në Shqipëri kësisoji? Se duhet konsideruar edhe mentaliteti politik i Shqipërisë.

Kështu nëse flitet për zgjedhje të presidentit nga populli, ose duhet shkuar në sistem mirfilli presidencial ose, duhet ndejtur siç jemi. Sepse të kërkosh zgjedhjen nga populli të presidentit, Avokatit të Popullit apo Drejtorit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duhet të arsyetosh se në çmënyrë i shërben kjo mirfunksioniit të shtetit.

Nëse duam ta zgjedhim sa për populizëm për t’i mbushur popullit mendjen dhe ushqyer iluzionin sikur ka më shumë pushtet në duar, atëherë, mirë, le të prodhojmë populizëm, shpërndajmë lugë boshe.

E nëse kërkohet që presidenti të zgjidhet nga populli për shkak të mosbesimit kundrejt parlamentit, atëherë nuk i duhet lejuar parlamentit të zgjedhë as kreun e ILDKP, as të KLSH, as Avokatin e Popullit e as Prokurorin e Përgjithshëm, sepse e kemi delegjitimuar.

Pra duhet shkrirë vetë parlamenti nëse argumentimin e nisim mbi supozimin se (votës tonë) parlamentit, nuk i duhet besuar.

Gjithsesi, mendimi im smund të jetë përfundimtar dhe i pakundërshtueshëm. Thjesht e ndjeva të nevojshme që midis kësaj dalldie dhe dehjeje nga idea për president nga populli, ta trajtoj paksa me ftohtësi ketë çështje.

Total 1 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?