Rama harron Lungomaren. Tani unë do t’ju ndërtoj aeroport
Pasditen e sotme, Kryeministri zhvilloi një takim në qytetin bregdetar me të rinjtë e FRESSH që këtë vit votojnë për herë të parë.
Gjatë fjalës së tij, Rama përmendi përciptazi Lungomaren dhe premtoi sërish se shumë shpejt do të përfundojë, pavarësisht se shumë qytetarë ankohen për mosrealizimin e saj dhe kaosin që shkakton në trafik.
Aeroporti i Vlorës ishte një premtim që Kryeministri e bëri publikisht dhe theksoi se kjo nuk është një përrallë, por është i bindur se do ta ndërtojë.
“E që shumë nga ju më kanë sharë për Lungomaren që vonohet. Ju do ta shkoni që këtë vit sa shumë do të rritet turizmi, punësimi dhe vlera e shtëpive tuaja.
Unë ëndërroj dhe jam i bindur që do të ndërtoj një aeroport për Vlorën, jo një pistë turistike, por një aeroport rajonal për njerëzit dhe për mallrat, që do ta bëjë Vlorën një nga qytetet më të vizituara të Mesdheut. Dhe kjo nuk është një përrallë, është po aq realitet saç është sot Policia që duam”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Shefi i qeverisë kërkoi votat e vlonjatëve duke përmendur reformat që kanë bërë si dhe ato që nuk janë realizuar nga premtimet e dhëna në 2013.
“Ka ende shumë papunësi. Ka ende shumë njerëz të varfër që na kanë dhënë votën. Por ama në 3 vjet e gjysëm ne kemi dhënë provën se ajo që thuhej për çerek shekulli se ky vend nuk bëhet, nuk është e vërtetë. Ne e kemi provuar se Shqipëria mund të bëhet.
Në 3 vjet e gjysëm kemi provuar se Shqipëria mund të bëhet vendi ku secili mund të marrë atë që i takon sipas meritës”, tha Rama.