Nga Bledi Kasmi/ Fatmir Xhafa nuk mund të fshihet

Shkrime

Kanë kaluar më shumë se 72 orë nga deklarata e bërë nga Kryeprokurori, Llalla, i cili ngriti dyshime për destinacionin e drogës së bllokuar nga policia në të gjitha operacionet e zhvilluara prej saj.

Ndonëse kjo ishte një deklaratë publike dhe që bëhej jo nga ndonjë zyrtar i nivelit të ulët, por nga kreu i Prokurorisë së Përgjithshme çuditërisht prej tre ditësh Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë heshtin.

Gjatë ditëve të fundit janë organizuar disa operacione nga policia pas kërkesës së Prokurorisë ku janë sekuestruar tonelata droge, si dhe janë zbuluar laboratorë modern për përpunimin e kanabisit si në Përmet, Fier dhe Tiranë.

Droga ka qenë depozituar në magazina shtetërore dhe ruhej me forca të armatosura. Në të gjitha rastet zbulimi është bërë nga Prokuroria, ndërsa policia ka dekonspiruar operacionet duke bërë të mundur largimin e trafikantëve që kanë lidhje me zyrtarët e policisë.

Pyetjet që shtrohen janë se ku ka përfunduar kjo drogë e bllokuar nga Prokuroria?  Ligji e thotë qartë se ajo do të duhet që të asgjësohet në prani të prokurorit, gjë e cila nuk ka ndodhur. Përse policia e ka përjashtuar Prokurorin nga ky proces sikurse e kërkon ligji? Ku janë procesverbalet e zhdukjes së lëndës narkotike? Përse nuk bëhen publike nga Ministria në një kohë që ka një akuzë publike nga Prokuroria?

Është e qartë se përse Prokuroria është mënjanuar nga një proces mjaft i rëndësishëm. E para, sepse nuk ka patur asgjësim të kanabisit dhe e dyta për të mos pasur asnjë dëshmitar në këtë krim që e implikon akoma dhe më shumë policinë në trafikun e lëndëve narkotike.

Operacionet më të bujshme të bllokimit të drogës nuk janë ndërmarrë nga policia, por janë iniciuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ. Ajo çfarë është konstatuar nga këto operacione ka qenë se droga në magazinat e drogës ka qenë në pronësi të zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe deputetëve të PS.

Ata jo vetëm që nuk janë penalizuar, por edhe droga e kapur me këto operacione të bujshme i është kthyer sërish atyre duke i bërë nul këto aksione të koordinuara nga Prokuroria dhe Shërbimi Informativ.

Fatmir Xhafa nuk mund të fshihet më. Ai duhet të sqarojë opinionin publik se çfarë ka ndodhur me drogën e bllokuar. Duhet të sqarojë se e kujt është përgjegjësia ? Opinioni duhet të dijë fundja nëse Xhafa ka frikë tani nga Tahiri apo vëllai i tij në këtë histori ku droga e bllokuar nga magazinat ngarkohet me skafet e narkopolicisë për t’u trafikuar drejt Italisë.

Nuk bëhen fjalë për disa kilogramë, por sipas shifrave të policisë bëhet fjalë për 10 mijë ton drogë dhe vlera e saj llogaritet në disa qindramiliona euro në tregun europian.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?