Deklaratën e sotme të Gabriel kundër opozitës, Baton Haxhiu e lexoi 4 ditë më parë

Aktualitet

Në emisionin e fundit “Opinion” të Blendi Fevziut të enjten e kaluar, të pranishmit të studio dhe shikuesit “shqyen sytë” nga një lajm që zbuloi gazetari Baton Haxhiu, i cili tashmë nuk e fsheh as vetë që është këshilltari-hije i kryeministrit Rama.

Duke folur për krizën aktuale në Shqipëri dhe rolin e faktorit ndërkombëtar, Haxhiu foli për vizitën e sotme të ministrit të Jashtëm gjerman në Tiranë dhe i bindur deklaroi se ai do ti bënte thirrje të prerë opozitës që të hynte në parlament dhe të merrte pjesë në zgjedhje.

Por ajo që i habiti të gjithë ishte fakti, që Baton Haxhiu hapi celularin dhe filloj të lexonte aty se çfarë do të deklaronte në Tiranë Sigmar Gabriel 4 ditë më herët se ai të mbërrinte. Sipas asaj që lexoi paradhënie këshilltari i Ramës, ai do të mbante anën e qeverisë në gjithë këtë krizë. Edhe kur drejtuesi i emisionit e pyeti i çuditur, se të kujt ishin ato fjalë që po lexonte, Haxhiu me siguri dhe kompetencë të plotë tha se po lexonte deklaratën e ministrit të jashtëm gjerman që do ta bënte për çështjen e krizës, katër ditë më pas!!

Në konferencën e sotme për shtyp i pyetur se çfarë do të ndodh nëse zgjedhjet zhvillohen pa opozitën, ai nuk artikuloj fiks çfarë kishte cituar më herët Haxhiu, por në thelb ishte i njëjti qëndrim, duke folur edhe për teori konspiracioni. Ndoshta pjesën që lexoi këshilltari i Ramës, me pikë dhe me presje, e ka lënë ta lexojë kur të jetë përkrah vetë Edi Ramës. Gjithsesi ajo që u kuptua nga e gjitha kjo, me konspiracion apo jo, ishte se qëndrimi i tij në Tiranë, duket se e ka bërë më herët “një xhiro” nga stafi i Ramës.

“Interesi kombëtar i opozitës nuk mund të jetë kaosi i vendit,  Unë mendoj që do duhet të bëjmë apel ndjenjës së përgjegjësisë së atyre që e kanë çuar Shqipërinë në një kryqëzim duke shpikur edhe teori komplotesh , në rast pakënaqësish zoti Basha duhej të bënte propozimet se si mund të mbërrihej në zgjedhje të lira e të ndershme. Nëse dëshiron opozita mund të bëjmë më shumë drejt kësaj por nuk është rruga bllokimi dhe bojkotimi i Parlamentit”, tha Gabriel. /SYRI.net/

Lexo edhe: