A është kjo treshja Soros-iane që i ndërroi emrin PS-së në Rilindje?

Aktualitet

Gazeta Tema ka përcaktuar sot hierarkinë në kupolën socialiste, duke i cilësuar Ramën, Erion Velinë dhe Endri Fugën, si tre muskëtierët e Partisë Socialiste, të cilët, gjithnjë sipas Temës, kanë ndezur sot motorrët e fushatës elektorale në Tiranë.

Gazeta ka veçuar Endri Fugën, duke dhënë lajmin se këshilltari i kryeministrit tashmë do të shfaqet si protagonist.

Më poshtë shkrimi i plotë i Tema:

“U desh aktiviteti i të rinjve që votojnë përherë të parë, organizuar nga FRESSH, që të shihnim edhe njëherë së bashku si dikur Edi Ramën, Erion Veliajn dhe Endri Fugën.

Ndërsa dy të parët i shohim kudo, në aktivitete publike Fuga nuk shfaqet pothuajse kurrë, edhe pse është gjithmonë i pranishëm, gjithmonë në backstage, në komunikimin me median.

Përtej marrëdhënies institucionale, të tre duken më tepër si miq të vjetër. Pa kostumet zyrtare të tre janë rreshtuar për të mobilizuar të rinjtë që të votojnë në 18 qershor, duke treguar se kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj ka për të qenë një nga pikat e forta të kësaj fushate, bashkë me bilancin e tij të punëve në një vit e gjysmë në kryeqytet.

Ndoshta dhe Fuga do dalë më tepër nga hija e do nisë të shfaqet si protagonist, me mëngët përveshur si në fotografi, ku rastësisht apo jo të tre janë rreshtuar jo vetëm sipas hierarkisë por edhe gjatësisë”, përfundon Tema online.