Aktualitet

Lulzim Basha i ka bërë publike 3 çështjet që kërkon të diskutojë në një tryezë dialogu përballë kreut të mazhorancës, Edi Rama.

Me një deklaratë për median, Basha shprehet se negociatorët e PD-së janë prej 8 ditësh në pritje.

Deklarata e plotë e Bashës:

Kam insistuar që në fillim se dialogu me Edi Ramën duhet të jetë i vërtetë dhe jo dialog fasadë, sa për të bërë foto e për të dalë para kamerave. Dialogu i vërtetë nuk mund të zëvendësohet nga dy monologje shterpë. Dialogu i vetëm i vërtetë është ai që përgatitet me përgjegjësi të lartë për t’i dhënë zgjidhjen e vërtetë krizës së vendit: krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për të përgatitur këtë dialog kemi vënë në dispozicion prej 8 ditësh negociatorët tanë.

Nuk po i kërkojmë Edi Ramës pushtetin në tavolinë, ne do të mbetemi në opozitë deri sa populli të na votojë për të qeverisur me votën e tij të lirë. Ne po i kërkojmë Edi Ramës që të hiqet mënjanë, për t’i hapur rrugën një qeverie teknike, të paanshme, e cila duhet të përmbushë tre objektiva jetike për demokracinë dhe të ardhmen e vendit:

1. Zbatimin e dekriminalizimit, për të larguar kriminelët dhe ndikimin e tyre nga politika;

2. Ndalimin dhe luftimin e kultivimit masiv të kanabisit dhe të trafikut të drogës, që janë kthyer në rrezik jetik për demokracinë, rendin dhe të ardhmen e vendit;

3. Garantimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme.

Dialogu i vërtetë kërkon që Edi Rama të vendosë të ndahet nga krimi. Nëse e gjen kurajon të ndahet nga pushteti i krimit dhe, për hir të qytetarëve shqiptarë, t’i hapë rrugë qeverisë teknike të zgjedhjeve të lira e të ndershme, unë jam gati të ulem me të kudo, në çdo orë dhe pa asnjë pretendim.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?