200 forca policie në Durrës për kanabisin në Ishëm
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj nuk u mjaftua me përgënjeshtrimin e Drejtorit të Policisë së Durrësit, Petrit Çullhaj për akuzat e Lulzim Bashës se në Manëz ka një magazinë me 100 ton drogë dhe në Ishëm janë 20 ton të tjera. Ditën e sotme, 200 forca policie kanë bërë kontrolle në disa fshatra të Durrësit.
“Janë kontrolluar ish magazina e depo shtetërore, Ish reparte ushtarake, tunele, shtëpi të braktisura, sera e çdo ambient tjeter të dyshuar se mund të përdoren për magazinim të lëndës narkotike apo për kultivim të bimëve narkotike” thuhet në njoftimin e policisë që u shoqëruan me pamjet filmike nga helikopteri.
Vartësit e Petrit Çullhajt ishin të shoqëruar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Drejtoria Kundër Narkotikëve dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve.
Deri tani nuk është gjetur gjë por policia thotë se “është e vendosur në luften e pandërprerë për ta zhdukur këtë fenomen”.
Një ditë më parë, kreu i opozitës akuzoi shefin e policisë së Durrësit se është i përfshirë në kultivimin e kanabisit dhe nën mbrojtjen e tij janë edhe dy magazina në Manëz me 100 ton kanabis dhe një tjëtër në Ishëm me 20 ton. Basha tha se informacionet i kishte marrë nga efektivë policie të ndershëm, por në një reagim për mediat, Petrit Çullhaj tha se këto ishin broçkulla politike.