Dule: Diplomatët e huaj na kanë ofruar në mënyrë sekrete të futemi në zgjedhje
Gjatë një takimi me auditorin e Universitetit Europian të Tiranës, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, ka surprizuar me deklaratën e tij, ku thotë se diplomatë të huaj i kanë thënë që të hyjë në zgjedhje, pasi në mungesë të PD-së mund të sigurojë më shumë deputetë.
“Në takimet me diplomatët kryesisht kanë qenë në formën e paraqitjes së argumentave të njohura nga ana e partive të opozitës. Kam dëgjuar dhe diçka të cilën po ta kisha dëgjuar individualisht nuk do të merrja përgjegjësinë ta thoja publikisht. Fatmirësisht isha dhe me kolegë të tjerë politikanë, ditët e fundit, që dëgjova një propozim kaq cinik që nuk e besova se e dëgjova.
Na u tha në prani të përfaqësuesve të 4-5 forcave politike që ndoshta mund të ishtë një shans i mirë për ne që të përfitonim nga mospjesëmarrja e Partisë Demokratike në zgjedhje për të marrë ndonjë mandat më tepër. Nëse do të isha “tete a tete” me atë bashkëbisedues nuk do të merrja përgjegjësinë ta thoja publikisht, por isha me fat se isha me të tjerë që e dëgjuan. Duhet ta keni të qartë që ka dhe nga këto mendime”, u shpreh Dule.
Duhet thënë se dy janë diplomatët e huaj aktivë në kontaktet me partitë shqiptare, Romana Vlahutin, ambasadorja e BE-së, dhe ambasadori i SHBA-ve Donald Lu.
Ky i fundit prej disa javësh ka shmangur protagonizmin në publik pas sinjaleve nga Uashingtoni, por mesa duket ka vendosur të luajë nën rogoz. /Hashtag.al/