Taksat e reja për makinat/ Nuk keni parë gjë akoma

Aktualitet

Përcaktohen kriteret e reja për pagesën e taksës së qarkullimit të makinave dhe afatet për kolaudimin e tyre. Rregullat janë firmosur nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj më 4 Prill.  Ndryshimi thelbësor është në mënyrën e llogaritjes së taksës së qarkullimit për mjetet e luksit dhe në llogaritjen e afatit të kolaudimit të mjeteve, i cili do të jetë 365-ditor.

Pagesa e taksës

Sipas ligjit në fuqi, taksa e regjistrimit fillestar dhe taksa e përvitshme për automjetet luksoze është e vlefshme për 365 ditë dhe caktohet sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 12,5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit është si në shtojcën 1 bashkëlidhur këtij ligji, dhe është pjesë përbërëse e tij.

Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit.

Taksa

Taksa e regjistrimit fillestar për automjetet luksoze paguhet nga pronari i mjetit në momentin e regjistrimit fillestar të mjetit në drejtoritë rajonale të shërbimeve të transportit rrugor. Për efekt të taksës së regjistrimit fillestar për automjetet luksoze, për të vërtetuar se një automjet është luksoz apo jo, verifikimi bëhet me dokumentin teknik të origjinës së mjetit, ku është përcaktuar nëse cilindrata e automjetit është e barabartë ose më e madhe se 3000 cm3, ose nga dokumentet financiare shoqëruese të mjetit, si kontratë noteriale, faturë shitjeje, deklaratë me referencën doganore etj., ku është e përcaktuar se vlera/çmimi i automjetit është i barabartë ose më shumë se 5.000.000 lekë.

Taksa e përvitshme për automjetet luksoze është taksë vjetore për çdo vit kalendarik dhe ka vlefshmëri 365 ditë, pavarësisht nga momenti në të cilin ajo paguhet. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. Kjo taksë paguhet në të njëjtin moment kur paguhet taksa vjetore e mjeteve të përdorura të transportit. E ardhura nga kjo taksë, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, në momentin e vjeljes së taksës vjetore të mjeteve të përdorura.

Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit. /GSH.al