Sot skadon afati i regjistrimit në zgjedhje. Rama tenton shtyrjen e afateve

Aktualitet

Sipas Kodit Zgjedhor, regjistrimi i partive mund të bëhet jo më vonë se 70 ditë nga data e zgjedhjeve, pra kjo datë përkon me 9 prillin, por duke qenë se është ditë e diel, atëherë ajo shtyhet në ditën pasardhëse.

Regjistrimi i partive politike në zgjedhje. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve”, thuhet në nenin 65, pika 1 e Kodit Zgjedhor.

Por mosregjistrimi i partive politike të spektrit të djathtë ka hapur një debat për afatet kohore se deri në çfarë kohe mund të priten për t’u regjistruar forcat e djathta. Denar Biba, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka bërë të ditur se partitë e opozitës do të mund të priten deri më 29 prill.

Vota ime do të jetë pro regjistrimit të cilësdo partie edhe përtej afatit. Natyrisht, jo përtej çfarëdolloj afati. Ky i datës 10 është thjesht sugjerues nga sugjerues nga Kodi. Në praktikën e së drejtës, afatet, si në të drejtën civile, penale apo administrative, janë afate penalizuese apo sugjeruese. Sugjerojnë që kjo gjë është mirë të bëhet brenda këtij afati, por që nuk parashikojnë ndonjë penalitet nëse kjo gjë nuk ndodh. Unë po flas vetëm për votën time. Nuk e di se si do të votojnë kolegët. Por, kjo gjë nuk mund të shkojë pa fund, pasi në momentin, që është data 29 prill, që do të depozitohen listat e kandidatëve dhe që ne duhet të nisim urgjentisht në atë moment printimin e fletëve të votimit, nëse fletët e votimit do të jenë printuar, natyrisht nuk ka më kuptim se çfarë të regjistrosh”, ka thënë Biba për mediat.

Në legjislacion nuk është parashikuar ndonjë mundësi për të shtyrë datën e regjistrimit të partive politike në KQZ. Sipas planit orientues të miratuar nga vetë KQZ-ja, është specifikuar se regjistrimi i partive nuk mund të bëhet më vonë se 10 prill. Më tej, theksohet se më datë 19 prill është afati i fundit për të miratuar përbërjen e koalicioneve. Ndërsa më datë 5 maj është afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve dhe listave shumemërore të partive.

Kreu i KQZ-së, Denar Biba, në një reagim në faqen e tij në “Facebook” ka theksuar se opozita duhet të regjistrohet, nëse do të fitojë zgjedhjet e ardhshme. “Deklarata ime (e shpallur që hershëm) se ‘unë do të jem avokati më i mirë i interesave legjitime të opozitës’ është interpretuar nga disa, sikur PS-ja u tërhoq nga qëndrimi i saj ‘i fortë’ dhe po i lutet PD-së që veç të regjistrohet në zgjedhje, pa s’ka rëndësi afati. Kjo pasi sot (data 9 prill) është afati i fundit i regjistrimit të partive për zgjedhjet e 18 qershorit 2017. Çfarë mund të them në lidhje me këtë është se, duke qenë se sot është ditë e diel, afati shtyhet për nesër. Për sa i takon qëndrimit tim, s’do fare mend që të kuptosh se është interes absolut i opozitës që të marrë pushtetin, në mënyrë që të vërë në jetë programin e saj politik. Por që kjo të ndodhë, më së pari opozita duhet të regjistrohet e të konkurrojë në zgjedhje”, ka thënë Biba.