Aktualitet

Kadare kundër shfaqjes së filmave të realizmit socialist. Dogma e armikut të klasës ishte dominante

Në një bisedë të lirë me studentët e një universiteti privat në Kosovë ku gjendet prej disa ditësh, shkrimtari i madh, Ismail Kadare u përfshi dhe në një lloj debati që po zhvillohet në Shqipëri, në lidhje me lejimin ose jo të shfaqjes së filmave të realizmit socialist.

Ismail Kadare ishte i ashpër në gjykimet e tij për këtë prodhim kulturor. “Sektori i kinematografisë ishte më i kontrolluari, më në shërbim të propagandës së regjimit komunist. Mjerisht ata që ishin kineastë, regjisorë, skenaristë,operatorë, megjithëse shkuan në shkolla të mira lindore, të mëkuar me modele nënash të ashpra, baballarësh komunistë, u kthyen dogmatikë dhe produktet e tyre janë të egër, pa lirizëm. Shikoni një film nga të paktët e periudhës komuniste që ka një skenë lirike: është një prift që don të përdhunojë një murgeshë të hijshme ! E imagjinoni çfarë absurdi ? Në filmat tanë nuk kishte humanizëm, nuk kishte histori dashurie, por kishte egërsi. Imagjinoni dhe në filmat për fëmijë, kishte mësime si të ishin vigjilentë, si të raportonin për armikun e klasës. Dogma e armikut të klasës ishte dominante”-tha Kadare.

Në refleksionet e veta për mitizimin e filmave të realizmit socialist, Kadare mori shembullin e një statuje për aktoren Violeta Manushi në një fshat të Pogradecit. “Çfarë domethënë që i vetmi monument për një aktore t’i ngrihet një personazhi që bart kulturën e kundërvënies së qytetit me fshatin, të kundërvvënies ndaj inteligjencës, kulurës dhe jetës qytetare. Himnizohet një grua që është shoqja nga fshati, por zonja nga qyteti. Mund të jetë aktore gjeniale, por figura e saj është një figurë e një gruaje llafazane”.

Ai mendon se mbrapa këtij diskutimi për filmat e kohës së komunizmit ka gjoja një përpjekje për të mbrojtur luftën nacionalçlirimtare, me të cilën janë marrë një pjesë e filmave. Po unë kam bindjen se një pjesë e mirë e historisë sonë është shkruajtur në mënyrë të gabuar, theksoi ai.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?