Nga Vehap Kola: Për një aleancë të të virtytshmëve mes shqiptarëve

Shkrime

Bashkësitë fetare, në kuptimin e mirëfilltë të një vëllazërie konkrete dhe jo domosdoshmërisht të institucionalizuar, shndërrohen lehtësisht në truall të plleshëm të iluzioneve për dëlirësi, përsosmëri dhe idealizëm, efekte këto të drejtpërdrejta të ligjërimit më shumë se sa veprimit të njëmendtë. Studiues të metodave diskursive si Norman Farclough, mendojnë se diskuri nuk është vetëm trajtësues i mendimeve dhe realitetit, por është edhe realiteti i rrjetës së marrëdhënieve sociale, nuancat e praktikave që ndiqen në mënyrë të pavetëdijshme në një shoqëri, që i jep formën dhe përmbajtjen diskurit publik. Kësisoj, edhe në bashkësitë fetare, diskuri i mbushur me citate nga shpalljet hyjnore, me urdhëresa për çiltërsi dhe qëllime të mira, me parabola të sjelljeve heroike të profetëve dhe shenjtorëve, krijon lehtësisht mbresën se këto realitete janë aktualizuar në mesin e atij komuniteti. Ndërkohë, nga gjiri i mikro-realiteve të tilla sociale, falë grumbullimit plotësisht të justifikuar nga marrëdhënia vëllazërore në Zotin dhe procesit të përshpejtuar të shoqërizimit, si dhe në mungesë të transformimit të vërtetë moral e karakterial të individëve dhe raporteve mes tyre, shumëfishohet paralelisht edhe probabiliteti që personalitete të forta, shpesh të kriminalizuara, apo të aftë për të kërkuar suksesin pa asnjë skrupull moral, të dominojnë dhe të marrin nën kontroll drejtimin e asaj bashkësie. Është ai dimension i shkathtësive praktike, që filozofia parasokratike e quante metis, aftësi për të fituar në çdo dyluftim, apo garë pa asnjë rregull apo standart moral, që i bën këta njerëz të shquhen dhe të fitojnë admirimin dhe nënshtrimin e anëtarëve të tjerë të bashkësisë.
Por, a do të thotë kjo që bashkësitë fetare, për nga natyra, janë të destinuara të shndërrohen në platforma të deformimit moral e social? S’do mend që jo. Natyra e vërtetë e bashkësisë nuk përcaktohet nga ligjërimi i saj, por nga sfondi moral e karakterial i anëtarëve të saj, veçanërisht atyre që kanë një rol dominues në raportet brenda saj. Prandaj, se sa fetare është një bashkësi është një produkt i drejtpërdrejtë i realiteteve shpirtërore e morale individuale që hyjnë në bashkëveprim në kuadër të saj. Në këtë bashkëveprim dhe në mungesë të një mekanizmi efektiv të gjykimit të arsyeshëm dhe të drejtë mbi çdo forcë apo raport që krijohet brenda bashkësisë, kjo e fundit është e destinuar të kthehet në një implementim tipik të vizioneve utopike, që natyrshëm udhëhiqen nga oratorë populistë dhe njerëz me aftësinë për të fituar duke shkelur çdo normë të moralitetit. Shembuj të tillë janë të shumtë nga bashkësitë e të gjitha feve të botës dhe gjatë gjithë historisë së njerëzimit, por së fundi shfaqen në mënyrë intensive mes bashkësive muslimane, për shkak të intensitetit të lartë të rituales formale dhe kolektives.
Një tipar dominues i bashkësisë së muslimanëve të Shqipërisë është mbrojtja e verbër e të ngjashmit, sivëllait, apo të afërtit edhe përkundër të drejtës. Pra, kur një pjesëtar i bashkësisë kryen një akt të paudhë, përfshihen në një raport të padrejtë e deri kriminal, në vend që të gjykohet dhe ai të mos identifikohet me bashkësinë, besimtarët hidhen në mbrojtje të pakushtëzuar, duke njollosur në këtë mënyrë gjithë përfytyrimin publik për fenë si e vetmja kullueshmëri e mbetur. Ky është, në të vërtetë, tipari dallues i paganizmit, në armiqësi me të cilin u shpall Kurani dhe u përpoq për 23 vite rresht Profeti Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi të. Për paganët, paradigma e vetme e të drejtës ishte përkatësia fisnore: anëtari i fisit mbrohej me çdo mjet, pavarësisht çmendurisë së veprës që mund të kishte kryer. Por edhe në ato kohë kaq të çartura, një grup njerëzish, mes të cilëve edhe Muhamedi i ri, ende jo profet, themeluan një besëlidhje që quhet aleanca e të virtytshmëve, një besëlidhje kalorësiake për t’i dalë zot gjithkujt që i shkelej e drejta dhe për të luftuar pa kursyer as pasuri, as jetën e tyre derisa e drejta e të shtypurit të vihej në vend. Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të, e ka lëvduar këtë besëlidhje edhe gjatë viteve të fundit të jetës së tij, duke e konsideruar atë pjesë të Islamit. Të krahasuar me këta paganë dinjitozë, bashkësia e muslimanëve të Shqipërisë duhet të ndihet e turpëruar. Jo vetëm që në mesin tonë janë kryer disa nga aktet më të pashembullta të shkeljes së të drejtës së tjetrit, siç është bashkëpunimi në grabitjen e truallit të xhamisë së madhe, shitja me çmim qesharak e truallit mbi të cilin është ndërtuar hoteli 25 katësh, por edhe heshtja e plotë karshi kriminalizimit dhe kanabizimit të jetës publike e shoqërore është një kompromentim i madh i bashkësisë tonë.
Por një episod shumë më tragjik është edhe më relevant për të parë se sa afër paganizmit dhe larg rrugës profetike është sot bashkësia muslimane e Shqipërisë. Vjedhja e një objekti në Medinë iu mvesh padrejtësisht një hebreu nga kryerësit muslimanë të vjedhjes, duke stisur prova të pakundërshtueshme. U desh të shpalleshin disa ajete që e vërteta të dilte në shesh dhe Profeti nuk hezitoi aspak që të thërriste familjen hebreje të akuzuar padrejtësisht dhe t’i njoftonte se Zoti ka ndërhyrë drejtpërdrejt dhe ka dëshmuar pafajësinë e tyre, duke fajësuar myslimanët që e kishin kryer vërtet vjedhjen. Një video që qarkulloi me një imam dhe një futbollist që tallnin priftërinjtë ortodoksë duhet të kishte mjaftuar që muslimanët shqiptarë të tregonin se ç’shembull ndjekin: atë të paganëve fanatikë që mbrojnë të vetin me çdo kusht, apo atë të Profetit që përballë një komuniteti rival fetarisht, politikisht dhe ekonomikisht, siç ishin hebrenjtë në Medinë, gjykoi drejt dhe shpalli të pafajshëm hebrenjtë. Muslimanët u ngritën dhe shfajësuan, justifikuan dhe mbrojtën me çdo kusht imamin dhe sjelljen e tij të ndaluar, duke u trembur nga efekti që kjo mund të kishte në jetën fetare të komunitetit. Kësisoj, ata nuk i besuan bekimit hyjnor mbi një komunitet të ndershëm, që e zbaton drejtësinë edhe kur kjo është e dhimbshme. Në fakt, dëmi më i madh nuk do të vinte nga gjykimi i imamit, por, ashtu sic edhe erdhi, nga cënimi dhe fyerja e fesë së tjetrit, të cilën Zoti e ndalon rreptësisht në Kuran. Të krishterët në Shqipëri u ndjenë, me të drejtë, të fyer dhe të cënuar në gjënë e tyre më të shenjtë: fenë. Myslimanët i harruan kështu talljet e ateistëve apo pjesëtarëve të zakonshëm të feve të tjera, që kanë ardhur vazhdimisht drejt nesh lutjen e përditshme drejtuar Zotit, veshjen dhe paraqitjen e tyre. Mes këtyre dy komuniteteve u shtua një shkak më shumë i mosbesimit tek njëri-tjetri.
Është e domosdoshme një ripërtëritje e aleancës së të virtytshmëve mes nesh: e një grupi njerëzish që vendosin t’i dalin në mbrojtje të shtypurit dhe të shfrytëzuarit derisa e drejta e tij të vihet në vend. Qasja krejt individuale e besimtarit ndaj çështjeve shoqërore e politike në vend është një paganizim i qëllimeve dhe moralit të tij. Veçanërisht angazhimi në politike thjesht e vetëm për qëllime të karrierës personale dhe ftohtësia kalkulative me të cilën shihet gjendja e vendit sot nga shumë besimtarë në të dy krahët e politikës është e frikshme. Ndërkohë, që në mes të bashkësisë tonë po ndodhin pazare të ulëta të tregëtisë së interesave mbi votat e besimtarëve, mosmbajtja e një qëndrimi heroik duke sakrifikuar interesat tona të ngushta, është një pabesi ndaj këtij vendi ku dëshirojmë dhe shpresojmë të rrisim fëmijët. Nëse edhe besimtarët bëkan të njëjtat kalkulime interesash të ulëta për vende pune, leje ndërtimi e legalizimi, mbështetje politike në luftë mes klaneve për kontroll burimesh e qendrash të vogla pushteti, atëherë le të heqim dorë nga pretendimi për respekt ndaj fesë tonë dhe të drejtave tona fetare. Ne nuk i jepkemi asgjë këtij vendi, përveç konsumit të shërbimeve publike. Në llogaritkemi shumë mirë interesin personal mbi kurrizin e taksave dhe, kaq shpesh, pronën, të drejtën dhe perspektivën e shqiptarëve që s’kanë fuqinë tonë lobuese. Dallimi ynë nga organizatat e tjera politike qenka zero.
Është e domosdoshme një aleancë e të virtytshmëve jo vetëm për të fituar shpëtimin në përjetësi, por edhe për të mbrojtur të drejtën dhe bërë të mundur jetën tonë dhe të fëmijëve tanë në këtë vend. Pa këta Don Kishotë idealist, oportunistët mes nesh do të na bëjnë të besojmë se çdo tiran është thjesht mulli prej ere. Kjo aleancë duhet të përfshijë të gjithë ata zëra publikë që kanë qëndruar në krah të njerëzve që u është bërë zullum nga të pushtetshmit, të fortët, të pasurit dhe liderët e grupeve të gjithëfarllojshme të interesave. Një besëlidhje e tillë është i vetmi institucion që mund të ribashkojë shqiptarët, të riinstalojë besimin tek njëri-tjetri dhe të rikthejë shpresën për të jetuar këtu. Shpresa se kjo aleancë duhej krijuar nga ata pak njerëz që besohej se nuk kishin interesa të ngushta materiale në angazhimin e tyre për të përmirësuar atë që të tjerët prishin është vrarë prej vetë atyre, pasi premisa e qëllimeve të pastra dhe idealizmit rezultoi e rreme. Sot është momenti që kjo aleancë të krijohet pa asnjë hezitim nga ata që vërtet e kanë mbrojtur të drejtën pa patur një interes të ngushtë në përmbushjen e saj.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?