Basha: Përse shteti hesht për vrasjen e Artan Cukut?
Lulzim Basha, akuzoi qeverinë se e flaku në rrugë Artan Cukun, ish –drejtorin e policisë që u vra një ditë më parë në Tiranë. Basha vuri në dukje në fjalën e tij në çadrën e protestës, faktin se qeveria nuk ka reaguar për këtë krim të tipit mafioz. Arsyeja e heshtjes, sipas Bashës, është qasja që kjo mazhorancë ka ndaj krimit.
“Artan Cuku, shërbeu për dhjetra vite në Policinë e Shtetit, në detyra nga më të ndryshmet, ku më të rëndësishmet janë pa dyshim ato në Drejtorinë e Krimit në Tiranë dhe krye të policisë së qarkut të Vlorës.
Një nga qarqet problematike sa i përket krimit të organizuar dhe në veçanti sa i përket drogës dhe trafikut të drogës.
Qarku i Vlorës siç e dini ju të gjithë, është po kështu edhe qarku në të cilin kryekryeministri aktual është edhe kreu i listës, deputeti i parë i Partisë Socialiste. Kanë kaluar mbi 12 orë nga kjo vrasje makabre e stilit mafioz, shoqëria ka shprehur tronditjen e thellë, kolegët e oficerit të lartë të Policisë së Shtetit kanë shprehur shqetësimin e madh dhe revoltimin me faktin që një oficer i shërbeu ligjit dhe luftoi krimin u flak në rrugë pa asnjë mbrojtje nga krimi.
I vetmi që nuk ka reaguar, është shteti shqiptar.
Nuk ka reaguar Ministri i Brendshëm, nuk ka reaguar kryeministri, njëkohësisht edhe deputeti i parë i qarkut në të cilin oficeri Cuku shërbeu si drejtor.
Nuk kanë reaguar, nuk kanë gjetur kohën, nuk kanë gjetur fjalët, nuk kanë gjetur kurajon, nuk kanë gjetur dhe nuk kanë moralin të ngrenë zërin kundër dorës kriminale që goditi shërbëtorin e ligjit.
Sikundër, nuk kanë gjetur kohën të thonë një fjalë të vetme, as ata, as edhe miqtë e tyre, (që nuk lënë moment pa folur broçkulla pa fund) për 12 tonët e drogës të kapur në Përmet. Nuk flasin për drogën, nuk flasin për krimin, sepse për ta, krimi nuk ekziston, kriminelët në Parlament dhe në Bashki janë sajesa të fantazisë opozitare, ndërsa droga dhe problemi i madh i drogës është shpikje e opozitës për t’i nxirë faqen vendit.
Kjo është fabula e një njeriu që ka humbur çdo lidhje me realitetin e përditshëm të shqiptarëve dhe jeton në flluckën e tij, i rrethuar nga vizatimet e tij dhe nga milionat e korrupsionit dhe milionat e drogës dhe nga baronët e drogës, që i ka miq në zyrën e kryeministrit nga mëngjesi deri në darkë, po kështu në vilat qeveritare, e në drekat e darkat e kushtueshme, ku konsumojnë shishe vere që kushtojnë të gjitha së bashku sa ndihmat ekonomike për një qytet të mesëm në Shqipëri.”