Edison Ypi/ Faleminderit o plehra
Diktatura kishte banorë, por nuk kishte plehra. Demokracia ka plehra, por nuk ka banorë. Mëngjez për mëngjez, sapo dal nga shtëpia, në pamundësi të përshëndes banorët si e lyp edukata, shkoj drejt e te plehrat që ka grumbulluar në oborr pastruesja. Më i mrekulluar se para çdo vepre arti, qëndroj disa minuta para atij mali me ngjyra që ke qef ta shohësh; Në një kuti kartoni gjysma e djathit që duket i freskët, është flakur. Nuk kuptohet nëse qumështi nga kutia e kartonit është pirë apo derdhur. Mbi ca qese plastike të mbyllura dhe të lidhura, mbishkrime misterioze në disa gjuhë nga kinezçja te arabishtja. Disa tapa si jetime të vogla kërkojnë të rivendosin lidhjet me grykat. Tava plastike ëmbëlsirash, llokume, bakllava, revani, cip mbi cip rrëzë një kutie kartoni që mban mbishkrimin e një kompjuteri. Vegla hidraulike të kromuara flakur për defekte fare të thjeshta. Karrocë kalamani. Litarë, ushkurë, rripa, tuba, ulluqe. Rrotëza, çikrikë, pjata, tiganë, lugë, pirunë, thika, që edhe mund të përdoren. Arka me fruta paksa të kalbura. Pjata, gota, kupa, me dhe pa mbishkrime. Shishe me turli-lloj lëngjesh brenda. Pjesë kompjuterësh. Gazeta dhe revista të panumërta të zhubrosura. Mbi kutitë me ngjyra, çmime, oferta. Çarçafë dhe peshqirë aspak të grisur. Dysheku i flakur duket sikur pret dikend të shtrihet mbi të. Të dish t’i lexosh plehrat, kupton gjithçka; Kah po shkon vendi, ekonomia? Po qan apo po qesh biznesi? A po e bën si duhet punën e vet lubrifikanti i ekonomisë, korrupsioni? A po punon diplomacia? Ç’thotë gjeopolitika? Ç’mollois parlamenti? Cilat maja ka kapur qeverisja? Cilat rekorde po thyen llafollogjia? Kah po shkon kultura? Po i lexojmë apo po na lexojnë librat? A po na tret stomaku? A rrezikohemi nga diabeti? Si na rreh zemra ? A po na kruhet ndopak kurrizi? Jo rrugët, as urat, vilat apo makinat. Plehrat dhe vetëm plehrat janë ato që dëshmojnë gjithçka; qëndrueshmërinë e genit, vazhdimësinë e rracës, humoret e popullit, piskamat e fukarenjve, icklat e zengjinëve, mbarëvajtjen e shtetit, të ardhmen e Kombit. Për vlerat që keni. Për gjithato gjëra që na mësoni; Faleminderit o plehra.