Edhe PDIU i kërkon Ramës qeveri teknike.

Aktualitet

Pas Ilir Metës që u deklarua mbrëmjen e djeshme për një qeveri besimi, është Mesila Doda, numri II i PDIU-së që kërkon zgjidhje të krizës përmes negociatave Rama-Basha.

Mesila Doda tha se duhet një pak kombëtar për të ndryshuar si fillim Kodin Zgjedhor që penalizon partitë e vogla.

Deklarata e saj  është bërë me simpatizantë të PDIU-së në Fushë-Krujë.

Ja deklarata e plotë:

-Gjatë këtyre 25 viteve që ne kemi qenë pjesë e politikës shqiptare kemi parë momente dramatike, kemi parë momente edhe më të mira, por kurrë si asnjëherë më parë nuk ka rastisur si tani. Ende nuk e dimë nëse do shkojmë në zgjedhje dhe me ç’farë formule do shkojmë.

Kjo për fat të keq është fatura që po i jepet shqiptarëve nga partitë e mëdha, të cilat kanë arritur të bëjnë një sistem që nuk i shërben qytetarit, por këtyre forcave politike dhe në një moment të caktuar arrin të kapin peng njëra-tjetrën, duke krijuar situata dramatike për shqiptarët.

Mënyra e vetme se si mund të ndërtohet një proces zgjedhor është që të paktën kreu i mazhorancës z.Rama dhe kreu i opozitës z.Basha duhet të ulen bashkë dhe të gjejnë modalitetet me qëllim që shqiptarët të votojnë të qetë, opozita të ketë të gjithë masat e sigurisë që ajo kërkon.

Nga ana tjetër shqiptarët të kenë të gjithë sigurinë se për kë po votojnë dhe si do vlerësohet vota e tyre.

Këtë e themi pasi gjysëm milioni vota që shkojnë për partitë e vogla prodhojnë 0 deputetë. Për këtë arsye kemi kërkuar ndryshimin e sistemit. Nuk ka asnjë shpjegim se pse kjo formulë që është sot në fuqi, do duhet të na shtrëngojë të gjithëve në koalicione parazgjedhore.

Unë mendoj se PDIU, por edhe partitë e tjera duhet të masim forcat tona në terren, si parti më vete.

Në kushtet e sotme kjo është e pamundur dhe sot vetëm votat e paritve të vogla prodhojnë 9 mandate për njërën forcë politike dhe 7 për forcën tjetër.

Ne propozojmë një pak kombëtar për reformën zgjedhore, në mënyrë që të ndryshohet sistemi aktual. Drejtori i Policisë dhe drejtuesit e tjerë të vendosen me konsensus nga partitë politike.

Gjithashtu të bëhet zgjedhja e Presidentit me konsensus, sepse nuk kemi asnjë arsye mos ta zgjedhim me konsens dhe të përfaqësojë një figurë reale të konsolidimit të këtij vendi”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *