Shkarkohen nga detyra zyrtarët e policisë të implikuar në kultivimin e kanabisit/ Emrat

Aktualitet

Në një konferencë të posatshme shtypi, Çako theksoi se disa ditë më parë në Lezhë u zbulua një parcelë me më shumë se 500 fidanë kanabis sativa e kultivuar së fundmi.

Në bazë të hetimeve, u arrit në konkluzion se punonjës policie në drejtorisë vendore të Policisë së Lezhës dhe komisariatit të Kurbinit kanë shpërdoruar detyrën dhe nuk kanë njoftuar për kultivimin e kanabisit.

Në planin e ri të veprimit për të asgjësuar drogën, drejtori i përgjithshëm bëri me dije se në të gjithë territorin do të caktohen punonjës policie që do të jenë përgjegjës për zonat e tyre dhe duhet të raportojnë nëse ka kultivim kanabisi. Gjithashtu, këta punonjës dhe familjarët e tyre do të deklarojnë se nuk do të përfshihen në kultivimin e drogës, në të kundërt do të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Fjala e kryepolicit Haki Çako:

Duhet të deklarojnë se ata dhe familjarët e tyre nuk do të përfshihen në kultivimin e bimëve narkotike. Janë përcaktuar punonjës policie përgjegjës që do të mbajnë pëergjegjësi ligjore në rast se konstatohet bimë narkotike.

Në Kurbin është konstatuar një parcelë e porsa mbjellë me 515 fidanë kanabis sativa. Në lidhje me rastin e konstatuar, me urdhër të drejtorit të policisë së shtetit ka filluar procedimin disiplinor për punonjës të drejtorisë vendore të Lezhës dhe komisariatit të Kurbinit.

Inspektor Gjon Dedaj i komisariatit Kurbin u përjashtua nga radhët e policisë.

Nënkomisar Edvin Toptani i komisariatit Kurbin u përjashtua nga radhët e policisë.

Komisar Leonard Balushi i komisariatit Kurbin u shkarkua nga detyra.

Komisar Xhafer Kalbaj i komisariatit Kurbin u shkarkua nga detyra.

Kryekomisar Maksim Bejko i drejtorisë vendore Lezhë u pezullua deri në përfundim të hetimeve.

Gjithashtu, ka filluar procedimi disiplinor për drejtorin dhe zv.drejtorin e drejtorisë vendore Lezhë.