Artan Hoxha: Qazim Sejdini ruhet nga forcat speciale. Nga kush ruhet”Lala”?

Aktualitet

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka paralajmëruar një përplasje të fortë mes palëve politike dhe atyre të krimit në Elbasan përgjatë fushatës zgjedhore. Hoxha tha në emisionin “Të Paekspozuarit” në ‘News 24’ se fronti i përplasjes mes palëve ka zbritur nga Lezha në zgjedhjet e 2013, për në Elbasan në zgjedhjet e 2017.
“Që nga momenti që kryetari i Bashkisë së Elbasanit lëviz i ruajtur nga forcat speciale, atëherë unë mund t’ju them se rreziku i këtyre zgjedhjeve është Elbasani. Do ketë një përplasje shumë të fortë. Edhe një nga partitë e koalicionit, partia çame ka bazë të fortë, PS po, LSI po dhe opozita nuk heq dorë. Përplasje e lobeve të forta ekonomike dhe të botës së krimit. Vaterloja ka zbritur nga Lezha në Elbasan. Biznesi i pari, paraja”, theksoi ai.
Hoxha gjithashtu zbuloi detaje në lidhje me akuzat që deputetët e LSI-së,Vangjel Tavo dhe Lefter Koka bënë ndaj drejtorëve të policisë, përkatësisht të Gjirokastrës dhe Durrësit.

Ai tha se ato ditë policia e Gjirokastrës dhe Durrësit arrestuan 2 trafikantë droge të cilët më pas u lanë të lirë dhe se mund të përdoren si sponsorizues fushate.
“I pari ka dalë deputeti Vangjel Tavo dhe ka sulmuar drejtorin e policisë së Gjirokastrës si i lidhur me botën e narkotikëve, të nesërmen erdhi nga Lefter Koka drejtorin e policisë së Durrësit. Kjo u bë se policia e Gjirokastrës ka shoqëruar një person që ka qenë një nga trafikantët kryesorë të Lazaratit kur qeveriste PD, dhe dyshohet se do sponsorizojë fushatën e Gjirokastrës. E njëjta gjë ndodhi në Durrës, një trafikant në Hollandë. Policia i arrestoi për t’i thënë ne e dimë kush jeni ju dhe çfarë bëni, sot ata vazhdojnë jetën e tyre normalisht dhe uroj që të mos financojnë zgjedhjet”, tha Hoxha.

REAGIMI I BASHKISE SE ELBASANIT

Pas deklaratës së gazetarit investigativ Artan Hoxha, i cili paralajmëronte rrezik gjatë zgjedhjeve në Elbasan, ka ardhur edhe reagimi i bashkisë së këtij qyteti.

I kontaktuar nga “TemA”, përgjegjësi Zyrës së Informacionit në bashki, Besim Dybeli, thotë se nuk ka pasur ndonjë gjendje të vështirë për sigurinë e kryebashkiakut Qazim Sejdini.

Dybeli shprehet se deklarata e bërë nga gazetari Hoxha nuk është e vërtetë duke hedhur poshtë dyshimet për ndonjë sulm ndaj kryebashkiakut Sejdini.

“Përkundër deklaratës së gazetarit është e drejta e tij, por rreth kryebashkiakut nuk ka asnjë lloj rreziku. Dua t’ju them se Qazim Sejdini vijon punën e tij normalisht dhe nuk ka pasur asnjë problem apo shqetësim”, pohon Dybeli.

I pyetur nga gazeta “TemA” nëse ka pasur ndonjë kërcenim ndaj kryebashkiakut Sejdini që mund të ketë sjellë shtimin e masave të sigurisë, Dybeli argumenton se nuk rruhet nga forcat speciale.

“Analistët dhe gazetarët janë të lirë të shprehin deklarata, por unë jam i përditshëm në Bashki për shkak të punës që bëj dhe nuk ka asnjë kërcenim në adresë të z. Sejdini. Nuk është e vërtetë absolutisht që ruhet nga forcat speciale dhe këtë mund t’ua u them me shumë sinqeritet dhe përgjegjësi”, shprehet Dybeli.

Megjithatë, duhet thënë se vetë Sejdini nuk ka folur për këtë çështje që është përfolur në media edhe më herët.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?