Nga Namir Lapardhaja: PS dhe LSI janë bashkëfajtore në Berat për keqqeverisjen

Analize

Konflikti i ndezur prej kohësh në shtëpinë e madhe të koalicionit qeveritar, ka zbritur ditën e sotme sherrshamatanë e tij në këshillin bashkiak të Beratit: PS-ja në mënyrë demonstrative ka bojkotuar mbledhjen e radhës së këtij këshilli, ndërsa vetëm pak orë më pas ka shpërndarë një komunikatë për shtyp ku bën të ditura arsyet e këtij bojkoti.
Ajo që të bie në sy në deklaratën e selisë rozë beratase është se kjo shamata nuk është për arsye parimore, për të mirën e qytetit dhe të qytetarëve, për ndonjë ndasi në vizion dhe në koncept që ka të bëjë me atë që duhet përmirësuar në punën e përditshme, për atë se çfarë nuk funksionon mirë në qytet dhe është në kompetencë të këtij këshilli për ta përmirësuar.
Jo! Asnjë nga këto. PS-ja është bërë pjesë e një konflikti politik kombëtar, duke e zbritur atë edhe në nivel lokal. Sepse të gjitha pretendimet e kësaj force politike në drejtim të kryetarit të bashkisë Berat dhe forcës së tij nuk janë të reja dhe të panjohura.
Përkundrazi, ai kështu ka vepruar nga dita e parë që ka marrë drejtimin e bashkisë Berat, duke e drejtuar këtë insititucion sipas mënyrës së tij, duke mos pasur primar interesin e qytetarëve, por thellësisht interesin e forcës së tij politike (LSI).
Dhe në të gjithë këtë teatër të politikës lokale, Partia Socialiste ka qenë pjesë aktive.
PS-ja ka qenë pjesë aktive dhe e ka mbështetur kryetarin e bashkisë Berat, kur ky i fundit e rriti tarifën e ndriçimit për familjarët nga 800 lekë/vit në 1200 lekë/vit dhe për bizneset nga 1200 lekë/vit në 4200 lekë/vit.
Po ashtu, Partia Socialiste ka qenë e unifikuar me pjesën tjetër të këshilltarëve të LSI-së, kur tarifën e pastrim-gjelbërimit për familjarët e rritën nga 300 lekë/vit në 500 lekë/vit, ndërsa po e njëjta tarif për bizneset u rrit nga 600 lekë/vit në 2600 lekë/vit.
Edhe pse u investua 15 milionë euro për ujësjellësin në Berat, qyteti vijon ende të ketë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Mirëpo, kjo nuk i pengoi përfaqësuesit e PS-së në këshillin bashkiak të Beratit të bashkonin votat me ata të LSI-së dhe tarifën e ujit të pijshëm për familjarët ta rrisin nga 44 lekë/m3 në 80 lekë/m3, ndërsa për bizneset të njëjtën tarifë ta rrisin nga 125 lekë/m3 në 150 lekë/m3
Por nuk mbaron këtu. PS-ja ka mbështetur LSI-në dhe gjithçka që administrata e bashkisë së Beratit, nën drejtimin e kësaj force politike, ka sjellë në këshillin bashkiak.
Ata së bashku kanë rritur taksën e ndikimit në infrastrukturë, duke e rritur nga 2% të investimit në 5% të vlerës së shitjes? Çka ka ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e shitjes.
PS-ja dhe LSI-ja në Berat kanë rritur në masë të madhe taksën e tabelave për reklamimin e biznesit, duke i rënë në kokë çdolloj biznesi e duke mos i dhënë mundësi reklamimi të mallit dhe produkteve të tyre.
Këto dy forca politike në dy vjet bashkëqeverisje lokale kanë qenë simotra në çdo dështim përsa i përket qeverisjes lokale.
Kanë qenë aty bashkë dhe kanë heshtur kur padrejtësia e kryetarit aktual të bashkisë Berat ka prekur njerëzit e thjeshtë e të pambrojtur, të cilët janë larguar në mënyrë të paligjshme nga puna.
Por kjo nuk e ka penguar PS-në të votojë çdo nismë të bashkisë Berat.
PS-ja ka qenë pjesë integrale e një kaosi të përgjithshëm që ndodhet qyteti tash e dy vjet me radhë.
Betonizmi i tejskajshëm, asnjë investim i mbaruar, rrugë të shkatërruara totalisht, trafik i rënduar dhe asnjë vend parkimi për automjetet, janë vetëm disa prej dështimeve të përbashkëta, që mbajnë vulën e bashkëqeverisjes midis PS-së dhe LSI-së në Berat.
Më shumë se një herë, u kam kërkuar në këshillin bashkiak të gjithë këshilltarëve, të forcave të majta dhe atyre të partive të vogla, që përtej interesit të ngushtë partiak, të shohim interesin e përgjithshëm dhe të qytetit, mirëpo këto thirrje shpeshherë kanë rënë në vesh të shurdhët.
Dhe ja ku vijmë në një ditë, ku, çuditërisht, zullumi kur trashet, këputet.
Sigurisht që do të vinim. Ishte thjesht çështje kohe.

*Anëtar i PD-së në këshillin bashkiak Berat

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?