“CV-ja e errët” e Gentjan Dajës, ish-kryetari i PS kërkon zgjedhjen e gruas së tij në krye të Kavajës

Aktualitet

Kavaja do të zgjedhë kryetarin e ri më 7 maj, pasi KQZ i hoqi mandatin Elvis Rroshit, si rezultat i ligjit të dekriminalizimit. Pavarësisht ndëshkimit moral dhe politik që PS ka marrë me shkarkimin e Rroshit, partia e drejtuar nga Edi Rama duket se nuk është e gatshme të ndryshojë shumë në këto zgjedhje të parakohshme.

Kandidatja që pritet të zyrtarizohet nga PS është Silvana Daja, bashkëshortja e Gentjan Dajës, i cili u dorëhoq si kryetar i socialistëve të Kavajës vetëm pak ditë më parë. Dalja e emrit të Silvana Dajës si kandidate është konsideruar si përpjekje e Elvis Rroshit dhe njerëzve të tij për të ruajtur pushtetin.

Rroshi dhe Gentjan Daja nuk janë vetëm partnerë në parti, por edhe në biznes, ndërsa të dy kanë një historik të ngjeshur me probleme me drejtësitë europiane.

“CV”-ja e Rroshit është tashmë e njohur, por ajo e Dajës ka ende për të zbuluar, siç është edhe ky dokument i autoriteteve shqiptare, i siguruar nga Politiko.al, që raporton për dënimet e ish-kryetarit të PS në Kavajë.

Gentjan Daja rezulton të jetë arrestuar në dhjetor të 1995-ës në Itali për veprën penale të zhvatjes, ndërsa në 1996 është ndaluar nga policia italiane për shkak të shkeljes së normave mbi lejet e qëndrimit për të huajt.

 

Por nuk është vetëm Gentjani ai që ka patur probleme me drejtësinë, por edhe familjarë të tij janë dënuar për vepra të rënda, siç është ajo e shfrytëzimit të prostitucionit.

Gentjan Daja dhe Elvis Rroshi janë gjithashtu ortak në shoqërinë “Ergi Shpk” dhe bazuar në hetimet e autoriteteve shqiptare, ekzistojnë dyshime se pallatet e ndërtuara nga kjo shoqëri të jenë bërë me para nga aktiviteti kriminal.

Gentjan Daja, i mbështetur nga Elvis Rroshi, ka zgjedhur si kandidate për Kavajën njeriun më të besuar të tij, bashkëshorten. Sikur të mos mjaftonin këto të dhëna, kandidimi i Silvana Dajës mund të konsiderohet një farsë politike për sa kohë zonja në fjalë nuk është një figurë publike apo politike.

 

politiko