Nga Agim Xhafka: Dëfrimi

Shkrime

Ata që më lexojnë e dinë që disa vjet punova mësues në Velçan të Gorës. Një fshat pranë majës së Lenijes,malit më të lartë në zonën e Korcës. Matanë këtij mali shtriheshin fshatrat e Gramshit. Një reliev i thyer,me toka të ashpra,mbushur plot shkurre e dëllinja. Fshatarët me bel kishin hapur ca ara që i mbillnin me misër e me patate. Por mali nuk prodhon ç’do ti. Ai mban pyje e lëndina. Mban bagëti. Por partia e atëhershme iu sul maleve e kodrave t’i bënte pjellore dhe polli varfëri e uri masive. Mbase sot pak më besojnë se shpesh nxënësit hanin vetëm bukë misri me…turshi. Kaq. Dhe u kërkonim që të mësonin e të merrnin dhjeta.
Velçani ishte një fshat që pasi i zbrisje makinës në Lozhan duhej dy-tre orë të ecje më këmbë. Të ngjiteshe në Krosnisht,të zbrisje poshtë tek lumi i Selcës e të ringjiteshe për në fshat. Dil o shpirt të dal. Lodhje e raskapitje pa fund. Në ditë shiu një çizme ngulej në baltë e kur hidhje tjetrën dilte këmba,por jo çizmja. Rruga na bëhej dyfish…
Nxënësit nuk e dinin ç’ishte makina,autobuzi,treni,deti,hekurudha,uzina,teatri,kinemaja. Në libra i kishin parë. Aq. Më shumë jo se as tv nuk kishte në fshat. Veç radio Iliria dhe Adriatik.
U thoja se në qytet ka autobuzë,ka ndërtesa të larta, ka rrugë me asfalt. Ata përpinin çdo fjalë. Por më tej nuk përfytyronin.
Ndaj një ditë vendosa t’u bëj një ekskursion në Maliq e në Korcë. Ua thashë në mes shtatori. Për dy javë e organizojmë u thashë.
Në fundjavë sa shkova në shtëpi i thashë nënës se do sillja gjashtë nxënës për një darkë dhe për të fjetur.
-Sa të duash,-më tha.- Kemi sobalkën plot me jorganë.
Shkova tek xhaxhai,tek ca shokë,tek miq e kushërinj dhe listën me 34 nxënës e rehatova.
Kur shkova në fshat i thashë drejtoreshë Elenës,një gocë e mrekullueshme dhe shumë e zgjuar,që të më jepte një shkresë që biletat e autobuzit Korcë-Lozhan t’i merrnin ne me nxënësit një të shtunë vajtje e kthim të djelë. E shkroi menjëherë dhe e vulosi. E nisa me Sheron,mushkarin e fshatit. Në darkë më erdhi përgjigja se duhej nga seksioni i arsimit,jo nga shkolla. Mora në telefon inspektor Nestin dhe pa më dëgjuar deri në fund ma preu. Duhej të dërgoja planin e aktivitetit dhe të prisja lejë nga ai.
Pirdh,pirdh,shfryva. Nxënësit bënin plane. A do e shohim kombinatin e sheqerit? Po teatrin ne Korcë? Po ndonjë tv? Po …
Erdhi java e as bileta e as leja nga Nesti. Sa mbaruam mësimet i vura kolonë e pa zhurrmë e lamë fshatin pas. Shumica për herë të parë largoheshin nga kufijtë e Velçanit. Ishin 13 vjeç. Por kishin lumturi në sy. Ecnin shpej dhe e kapën Lozhanin për 2 orë. Sa u grumbulluam shoh autobuzin që po ikte. Plot. I lutem shoferit të marë veç gocat deri në Maliq. Nuk ma prish. Ngelën ne burrat,u thashë djemve. Do shkojmë më këmbë. Një fjalë goje. Ishin plot 12 km. Për moshën e tyre një torturë. Por u bindën e vargu ecte. Per t’i mbajtur optimistë këndoja e këndonin. U thoja gjë a gjëza. Kështu deri tek Tyrbja e Goçës. Më tej na ra ritmi. Edhe po errësohej.
Dëgjoj një buri nga pas. Shoh Maksin inxhinierin e gjeologjisë me makinën laborator.
-Në zbor po ikni?- më ngacmoi.
-Në Maliq te kapim urbanin për Korcë.
-Më këmbë?! Hypni të gjithë!
U turrëm dhe u kacavirrëm mbi sponde. Ishte nje ZIS i madh me kabinë të mbyllur e me dritare. Sa hynë fëmijet u nisëm. Në sytë e tyre pashë një gjë që ishte më shumë se lumturi.shihnin lumin,kodrat,pemët e shqyenin sytë. Në Maliq morëm dhe gocat.
-Nesër mbasdite ju marr të gjithëve e ju kthej në Lozhan,-tha Maksi,magjistari ynë.
Kujtoj vizitat,sjell ndër mend hutimin e gëzimin e nxënësve, kënaqësinë e tyre dhe…
U zgjata në ekskursionin e çuditshëm se dje një nga djemtë e asaj klase,Dëfrimi,më kërkoi në fb të bëheshim miq. Jam ish nxënësi yt,më tha. Jam në Londër prej vitesh. Kam djalë e vajzë.
U mallëngjeva dhe nisa ta pyes për emrat që më kujtoheshin. Dëgjoja Milano,Selanik,Athinë,Durrës, Tiranë,Paris,Amsterdam,Zyrih,Hamburg…Makina ZIS e inxhinier Maksit ishte bërë aeroplan. Ata që nuk kishin dalë kurrë nga fshati tani i gjeje nëpër botë,në krejt globin.
Dëfrim më dëfreve ,i thashë e u befasova nga ç’dëgjova. Ia vlen për këto surpriza,se kupton që vendi ka lëvizur. Ja fakti,velçanakët e vegjël dje sot janë bërë europianë të vërtetë. Kujtoj atë ekskursion dhe shpresoj që t’i kem nxitur të lëvizin nëpër glob,të vrapojnë drejt së mirës. Eh,dihet që nxënësit ia kalojnë mësuesit…Tani në çdo shtet kam një “hotel” free,janë nxënësit e mij.