Nga Enton Abilekaj: Pse Edi Rama nuk është si Putini, Erdogani apo Gruevski

Edi Rama nuk është si Erdogani. Po kalon një periudhë të vështirë ku po detyrohet të tregojë natyrën e tij autoritare, po kërcënon opozitën se do ta përjashtojë nga zgjedhjet, harron që opozita është pjesë e Shtetit ndërkohë që krenohet se po bën Shtet, por dallon nga Erdogani. Debati me Blushin ishte kulmi i një periudhe të vështirë, që e detyroi të kërkonte dhe të gjente një armik në parlamentin pa opozitë.

Arriti ta gjente armikun, e sulmoi me të gjitha bateritë, bëri një betejë pa moral, me gjithë ndihmën e medias nuk doli dot fitimtar. Ndërkohë opozita e ka ekspozuar tashmë si një autoritarist të rrezikshëm, që po kërcënon zgjedhjet, ai e konfirmoi pa dashje në Parlament. Për disa analistë ishte përfundimi i një autoportreti realist të vizatuar pa dashje, si një Erdogan i vogël. Disave u duket si Putini, disave si Gruevski, por ai nuk është si asnjëri nga ata.

Vërtet përdor metodat e tyre, e reshton opozitën tek armiqtë e brendshëm që janë bashkuar në një komplot të armiqve të jashtëm, por kjo nuk e bën as si Erdogani dhe as si Gruevski. Ndryshimi nuk është se ata fajësojnë Perëndimin dhe ky fajëson Rusinë. Ky ndyshim do të ishte i papërfillshëm.

Vërtetë centralizoi pushtetin ekonomik për t’ua ndarë pastaj oligarkëve të preferuar, si Putini, vërtet futi familjarët e tij në biznese si Erdogani, vërtet krijoji armiqësi me fqinjët si Gruevski, por nuk është si ata.

Përshkrimi i aksioneve të diktatorëve të rinj të Lindjes, nga blerja e mediave duke përdorur oligarkët, deri tek përdorimi i retorikës nacionaliste për të identifikuar opozitën me tradhtarët dhe armiqtë e vendit, megjithëse nuk është bërë për Ramën, i shkon shumë, por përsëri ai nuk mund të krahasohet me Putinin, Erdoganin dhe Gruevskin. Ashtu si Putini e filloi në Bashkinë e Shën Petërburgut (kryeqytetit të vjetër) dhe Erdogani si kryetar i Bashkisë së Stambollit, Edi Rama fitoi reputacionin kur u zgjodh në krye të Bashkisë së Tiranës. Ashtu si Putini edhe Rama zgjodhi të rrethohej nga stafi i Bashkisë edhe në pushtetin qendror, por prapë kjo nuk e bën atë si Putini dhe Erdogani. Ashtu si Gruevski, akuzohet se nuk i ka qejf zgjedhjet e lira dhe të ndershme, po detyrohet si homologu autoritar i Maqedonisë, të hyjë në zgjedhje me qeveri teknike por prapë nuk është si ai.

Putini, Erdogani dhe Gruevski kanë një ngjashmëri të fortë që i lidh ngushtë. Ata arritën rezultate të shkëlqyera në ekonomi. Vitet e para e zhvilluan vendin me shpejtësi, ulën papunësinë, rritën prodhimin vendas, rritën eksportet dhe efektet në mirëqenien e njerëzve ishin të dukshme. Kjo ishte një bazë e mirë për ta që, me mbështetjen e votuesve të kënaqur nga ekonomia, të merrnin kontrollin e plotë të politikës së vendit, të nxirrnin jashtë loje opozitën dhe mediat, për t’u shndërruar pastaj në autokratë dhe për t’ i ruajtur insitucionet pluraliste dhe të pavarura vetëm për fasadë.

Rama nuk është i tillë. Fasada nuk është mbulesa, po e gjithë vepra e tij kur është i detyruar të mbrohet nga akuzat për keqqeverisje. Ai i largoi shqiptarët masivisht nga vendi dhe i zëvendësoi me kanabis, ndërhyri në çdo sektor të ekonomisë që të krijonte një fasadë reformash dhe, përtej fasadës, të merrte kontrollin e plotë të ekonomisë dhe më pas të gjithë jetës institucionale, politike dhe sociale të vendit. Rama po bëhet autokrat, jo duke përdorur mbështetjen e popullit të kënaqur nga rritja e mirëqenies, por nënshtrimin e një populli që varfërohet çdo ditë e më shumë dhe po detyrohet ulë kokën apo të shesë votën për bukën e muajit.

Ekonomia është një arsye shumë e fortë që krahasimi me Putinin, Erdoganin dhe Gruevskin të bjerë dhe të shkëlqejë mbi të krahasimi me despotët e Azisë së Vogël dhe të Azisë të cilët e kanë zhytur vendin në varfëri dhe injorancë për ta qeverisur pa kokëçarje. Do t’ia arrijë edhe Edi Rama. Është vetëm një mandat larg.

Shkruar për SYRI.net

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments