Tahiri nervozohet me gazetarët pas daljes nga prokuroria./Video

Aktualitet

Pa kaluar 24 orë nga shkarkimi si ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri u mor sot në pyetje nga prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me çështjen Shullazi. Tahiri u pyet nga prokurorët në cilësinë e personit që ka dijeni në lidhje me kërcënimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni dhe ish-rektorit Dhori Kule.

GSH.al zbardh dialogun e Tahirit me gazetarët në dalje nga zyrat e prokurorisë.

Tahiri: Unë dhashë kontributin tim për këtë çështje. Pranova të paraqitem në prokurori, përkundër disave që refuzojnë edhe kur kanë vrarë vjehrrin…

Klodiana Lala: Zoti Tahiri, a ju ka thënë zoti Koni që është kërcënuar nga Emiljano Shullazi?

Tahiri: Pyesni zotin Koni…

Klodiana Lala: Nuk ju përgjigjët pyetjes…

Tahiri: Unë  jam i bindur që ju keni aftësi pikante për të marrë informacione nga prokuroria e Krimeve të Rënda….

Zoti Tahiri, ca keni deklaruar në prokurori…?

Tahiri: Shqiptarët duan të dinë… (e ndërpresin), shqiptarët duan të dinë…

Çfarë ju pyetën për kërcënimin e Rektorit?

Tahiri: Edhe një herë, shqiptarët duan të dinë, a do kemi politikanë që respektojnë ligjin dhe institucionet apo do kemi politikanë që edhe kur vrasin nuk vijnë në gjykatë…

A jeni në dijeni çfarë ka thënë zoti Koni dhe Kule në prokurori?

Tahiri: Se çfarë kanë deklaruar profesorët nuk mund të më pyesni mua.

Z.Tahiri, dje Luan Rama bëri një deklaratë për drogën dhe asgjësimin e saj. Keni një reagim?

Tahiri: Kam pasur shumë punë dhe nuk e kam dëgjuar deklaratën.

A ju ka ngelur peng që s’arritët të kapnit Balilin?

Tahiri: Asnjë peng, sepse kur isha unë ministër, ai u shpall person në kërkim. Se kur do arrestohet, sot apo pas 1 viti, kjo është çështje e policisë. Mos harroni se më parë ai ka qenë drejtues institucioni.

Ju kanë përfolur për lidhje me Shullazin…

Tahiri: Kush?

Opozita…

Tahiri: (qesh) Ah, pyesni opozitën

Klodiana Lala: Zoti Berisha ju ka vënë edhe mbiemrin Shullazi.

Tahiri: Jam mësuar me akuzat e Saliut, vetëm më bëjnë më të fortë. Por, unë nuk jam si Saliu që vret njerëz më 21 janar dhe nuk paraqitet në prokurori.

PSE U ARRESTUA SHULLAZI

Emiljano Shullazi u arrestua pas akuzave të ish-kryeministrit Berisha se kishte kërcënuar kandidatin për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, se do t’i merrte peng djalin nëse nuk tërhiqej nga gara. Ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda si i dyshuar për “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Bashkë me të janë arrestuar edhe kushëriri i tij, Blerim Shullazi dhe shoku i tij, Gilmando Dani.

Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe kushëriri i tij, Blerim Shullazi, ndodhen në paraburgim në Tiranë dhe akuzohen për “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, e më pas “Gjobëvënie”, “Trafik droge”, “Shkatërrim prone me eksploziv”, “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Të pandehurit nuk i kanë pranuar në asnjë moment këto akuza dhe kanë kërkuar lirimin nëpërmjet avokatëve të tyre.

HISTORIA

Në prill të vitit të kaluar Sali Berisha publikoi faktin se kandidati për rektor të UT, Mynyr Koni ishte kërcënuar të hiqte dorë nga gara për të favorizuar Klodeta Dibrën. Shullazi u arrestua dhe prokuroria nisi hetimet duke marrë në pyetje gjithë të implikuarit. Vetë Berisha, në shumë raste ka folur për lidhje mes Shullazit dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Për këtë çështje, në prokurori është paraqitur ish-rektori Dhori Kule për të dhënë shpjegime me cilësinë e personit të dëmtuar. I shoqëruar vetëm nga shoferi, Kule ka qëndruar për 2 orë në zyrën e prokurorëve Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, ku ka shpjeguar me detaje gjithçka në lidhje me kërcënimin ndaj tij për mosmbështetjen e kandidatit për rektor, Mynir Koni.

Sipas burimeve, bëhet e ditur se emri i Emiljano Shullazit nuk është përmendur në asnjë rast, duke mohuar njohjen dhe takimin me të. Sipas prokurorisë, Dhori Kules i është vendosur para edhe fotografia e Emiljano Shullazit, ku është pyetur nëse ka qenë ky personi në mesin e atyre që e kanë kërcënuar. Por, profesor Dhori Kule mësohet se ka mohuar se ka qenë ai personi që i ka dalë para bashkë me disa të rinj të tjerë, të cilët i kanë kërkuar me anë të kërcënimit të heqë dorë nga mbështetja e kandidatit për rektor në Universitetin e Tiranës, Mynir Koni. Mësohet se Kule ka deklaruar para hetuesve se nuk njihte ndonjërin nga personat që e kërcënuan dhe nuk kishte bërë kallëzim për faktin se nuk i njihte dhe nuk e kishte marrë seriozisht.

Por, ndryshe nga Kule, Mynyr Koni e kishte marrë shumë seriozisht kërcënimin e personave ende të paidentifikuar. Koni përveç se është ndjerë i kërcënuar, ka pranuar para hetuesve edhe për dhunën e ushtruar ndaj tij. Por, edhe rektori Koni ka mohuar se është kontaktuar nga vetë Emiljano Shullazi.

Prokuroria akuzon Emiljano Shullazin dhe bandën e tij si personat që kanosen dy profesorët për të favorizuar kandidaten që doli humbëse në zgjedhje, Klodeta Dibra.