Rruga Tiranë-Elbasan do të përfundojë brenda këtij viti

Ekonomi

Rruga Tiranë-Elbasan do të përfundojë brenda këtij viti”. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Standardeve në ARRSH, Spartak Tarkaj, i cili pohoi në emisionin “Të bësh ekonomi” i Vjollca Kongjonit në “News24” se vonesa në zbatimin e projektit ka ardhur për shkak të rrëshqitjeve masive në Ibë. “Projekti në letër dhe ai i zbatimit ka ndryshime dhe vonesa për shkaqe të ndryshme. Në rrugën e Elbasanit ka pasur shkarje masive të paparashikuara, ndërkohë që janë bërë edhe ndryshime të projektit; për këto shkaqe ka ardhur edhe vonesa në zbatimin e projektit. Këto shkarje kanë ardhur edhe për shkak të shpërthimeve, të cilat janë cilësuar si gjeologjike. Vëmendja e qeverisë ka qenë e lartë për këtë projekt, por ndodhën gjëra të paparashikuara. Ka ndryshuar gjysma e rrugës, dhe kjo ka sjellë probleme. Lajmi i mirë është se ky projekt është duke përfunduar, pasi shkarjet janë eliminuar teknikisht, fondi është siguruar, kështu që kjo rrugë do të përfundojë brenda vitit”, – tha Tarkaj.

Ndërkohë, Ervin Minarolli, ekspert i PD-së, pohoi se vonesa vjen për shkak të keqmenaxhimit të projektit. “Tiranë-Elbasan është me investime të huaja, me kredi nga bankat e huaja, paratë kanë qenë të marra. Kontraktori ka marrë detyrimet për të përfunduar brenda afatit, vetëm në Tiranë-Elbasan janë ndryshuar katër menaxherë, dhe kjo ka sjellë probleme. Ndërhyrja në Ibë ishte e gabuar dhe solli ato pasoja. Ndërsa në dy rrugët e tjera ku ka pasur probleme me kontraktorët këto probleme duhej të ishin zgjidhur. Vetëm shtyrja e afatit është një kosto më vete. Unë mendoj se gjithë problemi vjen për faj të Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili nuk ka menaxhuar si duhet projektet”, – tha Ervin Minarrolli, ekspert i PD-së.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?