Nga Nisma #thurje: Ti je i pacipë

Aktualitet

Sepse edhe spekulanti më i pacipë, makiavelisti më i pashpirt ka një limit, ka një fund. Ka një moment që thotë “Jo, dreqi ta hajë. Jo, te paktën këtë gjë s’mund ta përdor për përfitimin tim.”

Çfarë mendoje në ato momente? Kur ai fëmijë derdhte lot në kulmin e sinqeritetit të pastër që dhimbja e humbjes së njeriut të shpirtit shkakton, ti çfarë mendove? “O sa rast i mire për të bërë namin sot në media dhe në FB”.

Me siguri këtë ke menduar. Si ndodhi ngjarja më pas? Kur ai fëmijë, në pikën e dhimbjes qante me lot shpirti, fillove dhe ti të qaje, gjoja sikur dhe ty po të këputej shpirti. Ndërkohë që vetëm dy metra më tutje kishe kameramanin që po filmonte, ate që mbante mikrofonin që të degjohej e qara, ishte grimieri që të bën fytyrën me pudër që të dalësh mirë në kamera, regjizori që komandon kameramanin, fotografi që bën fotot e FB..Dhe të gjithë këta, me ty në krye, punonin për kryeveprën e rradhës që do të nxirrje në edicionet e lajmeve të pronarëve të kioskave dhe lejeve të ndërtimit, ndërkohë që fëmija i shkretë qante nga dhimbja dhe besonte se dhe ti po bëje të njëjtën gjë.

Ti nuk ke një limit. Krahasuar me ty, “Princi” i Machiavelit duket fisnik i moralshëm, dhe Shajloku i Shekspirit duket i dhembshur, sepse dhe ata që janë simboli i pacipësisë botërore, në një moment të tillë do të thonin “Stop! Ne mashtrojmë, përdorim, shfrytëzojmë njëri tjetrin, por tek fëmija jo. Sidomos te fëmija që qan nga dhimbja e shpirtit. Aty jo e jo!!”. Ti je i vetmi që mund të përdorësh dhimbjen e një fëmije për të fituar reklamë. Nuk njohim njeri tjetër të shkojë kaq larg sa ty.

Nuk njohim njeri tjetër të përdorë dhimbjen e një fëmije, për të bërë reklamë për veten. Sepse kjo quhet pedofili politike dhe mediatike! Dhe për më tepër ndalohet me ligj. Po cili ligj? Ti me ligjin fshin buzët me yndyrë mbasi ha drekë me prokurorin e Arditit. E mbasi e bën këtë del dhe flet për vetingun. Duke na vjedhur shpresën se ky vend e ka një shans. Neveri! Ndalo sot! Mos përdor më fëmijët! Se nuk do mbahesh mend më si Erion Velia por si Erion Neveria! MJAFT!

/Nga Nisma #thurje/ 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?