Nga Ndriçim Kulla: Basha, lider që po sjell një filozofi të veçantë politike

Analize

Ajo gjë që e dallon politikanin nga lideri është se politikani ndjek një linjë të caktuar politike, ndërsa lideri përcakton edhe filozofinë e kësaj politike. Këtu nuk e kam fjalën thjesht për shkollat e njohura të filozofisë politike, por për atë gjurmë filozofike që lë një lider i caktuar në politikën e vendit të tij, të partisë së tij. Sigurisht që kjo lloj filozofie e politikës nuk është një gjë që kuptohet nga turmat si koncept, por rezultati i saj bën efekt të madh te turmat dhe shtresat e gjera të zgjedhësve. Si paraqitet Basha në këtë këndvështrim? Basha si lider politik sigurisht që ka filozofinë politike të përcaktuar në statutin e partisë së tij, që është ajo e linjës ndërkombëtare politike ku bën pjesë PD. Por, brenda këtij kuadri, çdo lider i vërtetë krijon edhe një filozofi të vetën të veçantë, që është kontributi i tij personal, vlerë e shtuar prej tij. Me këtë ai bën diferencën nga të qenit ndjekës i një modeli lidershipi në të qenit lider i realizuar.

Risia bën dallimin midis liderit dhe ndjekësit”, ka thënë Steve Jobs, i cili nuk është politikan, por megjithatë është një lider i padiskutueshëm në fushën e tij, dhe që shihet si një model interesant referimi për liderët e sotëm politikë. Në rastin e Bashës, një risi si kjo për të cilën flet Jobs është çadra e vendosur para Kryeministrisë që Lulzim Basha e solli në politikën shqiptare. Çadra shënoi një metodë të re në zbritjen e politikës në rrugë dhe sheshe në Shqipëri. Kryeministria nuk u rrethua dhunshëm më me turma që përplasen me Policinë që e mbron ndërtesën, por u rrethua demokratikisht me një çadër të vetme paqësore, pa qenë nevoja madje as për disa çadra përreth saj. Brenda çadrës njerëzit nuk ngujohen në grevë urie, siç bënë ata që janë sot në pushtet disa vjet më parë në çadrat e tyre në bulevard, por tubohen për të ndjekur dhe marrë pjesë në debate. Në këtë çadër është i ftuar kushdo që të shprehë mendimin e tij, të tregojë problemin e tij, hallin e tij, që i është krijuar si pasojë e qeverisjes së keqe. Prandaj kjo çadër e ka hijen e rëndë. Tanimë këtë gjë e kanë kuptuar të gjithë, duke nisur që nga vetë z. kryeministër.

Basha me çadrën ka realizuar me një gjetje sa të thjeshtë aq edhe funksionale atë që thotë Henry Kissinger për liderin: “Detyra e një lideri është që t’i çojë njerëzit e tij, nga aty ku janë, atje ku nuk kanë qenë”. Me këtë çadër Basha i çoi ndjekësit e tij dhe dashur pa dashur të gjithë shqiptarët nga një epokë politike shumë e njohur për ta, në një epokë politike të re.

Në politikë vjen një çast kur një lider duhet të ndjekë këshillën e Martin Luther King Jr, që ka thënë:

“Një lider i vërtetë nuk është një kërkues i konsensusit, por një shpërbërës i tij”. Dikujt mund t’i duket si një herezi në pamje të parë, si një qëndrim destruktiv, por nuk është kështu. Martin Luther King Jr., këtu e ka fjalën për konsensusin e llojit të vjetër, me të cilin politikanët janë mësuar që t’ua paraqitin ndjekësve të tyre dhe gjithë popullit si çelësin magjik që zgjidh konfliktet, kur në fakt nuk është gjë tjetër veçse një manovër e çastit me efekt pak më afatgjatë se të tjerat. Një Shqipëri, një lloj i tillë konsensusi është ai i arritur në marrëveshjet e famshme politike të tipit të vjetër që e kanë fashuar mirë e bukur plagën politike, duke ia lënë qelbin brenda. Një lloj të tillë konsensusi ia ka afruar Bashës me djallëzi disa herë kryeministri Rama, po lideri i opozitës nuk e ka pranuar atë. Është një ofertë që ka si pjesë të saj të pëshpëritur në vesh edhe pjesë në fitimet nga kanabizimi i vendit, në këmbim të gjumit të opozitës për katër vjetët e ardhshëm.

Por lideri i opozitës është një njeri i kthjellët dhe këtë kthjelltësi e konfirmoi qartë më së miri me këtë aksion publik. Në këto çaste të vështira për opozitën ai personifikon atë që thotë John C. Maxwuell: “Një lider është një njeri i cili e njeh rrugën, ecën në atë rrugë, dhe ua tregon atë të tjerëve”. Basha me çadrën iu tregoi shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtare, në një mënyrë shumë origjinale, se njeh si rrugë të tij dhe të opozitës vetëm rrugën paqësore demokratike, por me një gjallëri të pazakontë këtë rrugë ua tregon çdo ditë ndjekësve të tij. Por gjithashtu Basha tregoi se është i gatshëm edhe për reagime adekuate, nëse përballet me dhunën qeveritare.

Tanimë çadra ka arritur atë që ka thënë ish-presidenti i njohur amerikan, John Quincy Adams: “Nëse veprimet tuaja i frymëzojnë të tjerët që të ëndërrojnë më shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë më shumë, e të bëhen më shumë, atëherë ju jeni një lider”.

Çadra është bërë një vend ku njerëzit frymëzohen të ëndërrojnë për një të ardhme ndryshe, ku njerëzit mësojnë duke dëgjuar debatin në çadër dhe duke marrë pjesë në të. Njerëzit dalin nga çadra me vetëdijen se kanë bërë diçka të re, qoftë edhe një rit që i ka gjallëruar. E gjithë kjo lidhet me personin e Bashës, pra ai është një lider i padiskutueshëm. Napoleon Bonaparti ka thënë: “Një lider është një sekser i shpresës”. Që do të thotë se lideri ka aftësinë që jo vetëm t’iu ngjallë shpresa njerëzve, por edhe t’i bindë ata se këto shpresa janë të realizueshme.

A do ta kalojë Basha atë test të liderit që De Goli e përcakton kështu: “Lideri duhet të synojë lart, të shikojë larg, të gjykojë gjerësisht. Kështu ai e vë veten përtej njerëzve të zakonshëm të cilët debatojnë në limite të ngushta”. Në qoftë se ka një njeri te opozita që mund ta bëjë këtë gjë tani, ky është vetëm Basha. Në realizimin e këtij misioni Basha mund të bëjë vetëm një gabim, atë që të kujdeset me të tepërt që në procesin e përzgjedhjes së ekipit të tij të ri me të cilin do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme, të mos e akuzojnë si përçarës apo përjashtues. Por këtu Basha duhet të ndjekë këshillën e Tony Blair, një lideri të afirmuar në kohën e tij, i cili nuk ishte as autoritar dhe as përjashtues. Blair ka thënë:

“Unë mendoj se rruga e një politikani kalon nga përpjekja për të kënaqur të gjithë njerëzit, gjatë gjithë kohës, te shndërrimi në një lider politik që në fund të fundit e kupton se detyra e tij është të marrë vendime. Dhe kur ai vendos, ai i përçan njerëzit”.

Sigurisht që do të ketë të pakënaqur dhe qejfmbetur nga vendimet e Bashës, sidomos ndër “xhaketat e vjetra”, por kjo gjë është e pashmangshme në politikë.

Politikanët e rinj që aspirojnë të bëhen liderë, janë të pavlefshëm pa një filozofi të re të tyren. Basha e ka një të tillë, prandaj ai meriton mbështetje.