Nga Kastriot Myftaraj: Skandali i parkingut nëntokësor në Sheshin “Skënderbej”

Aktualitet

Në Shqipëri fjala “skandal” është konsumuar aq shumë sa kur përdoret, pothuajse nuk bën më përshtypje, sipas parimit “Çudia më e madhe tre ditë zgjat”. Por nuk është kështu. Kështu duan të jetë ata që kanë përgjegjësinë për këto “çudi”. E vërteta është se ka çudi të tilla, të cilat përveç dëmit ekonomik, i bëjnë dëm reputacionit të vendit për tre shekuj. I tillë është rasti i parkingut nëntokësor që ndërtoi Bashkia e Tiranës, në periudhën kur drejtohej nga Erion Veliaj, në Sheshin “Skënderbej”, në hapësirën midis ndërtesës së Bankës së Shqipërisë dhe ndërtesës së Muzeumit Historik Kombëtar, dhe që pritet të promovohet në ditët e ardhshme.

Në cilin kryeqytet të botës gjendet një parking publik nëntokësor në atë afërsi me ndërtesën e bankës qendrore të vendit, siç është ky parking? Ndërtesa që shërben si selia qëndrore e Bankës së Shqipërisë, e ndërtuar nga italianët në kohën e Monarkisë (1938), ashtu si të gjitha ndërtesat e ngjashme ka pjesën e saj nëntokësore ku ka mjedise të posaçme për ruajtjen e thesarit të bankës dhe ku sot ruhet një pjesë e thesarit të shtetit. Që nga parkingu nëntokësor publik një grup i specializuar grabitësish nuk e ka të vështirë të depërtojë në mjediset nëntokësore të ndërtesës së Bankës së Shqipërisë.

A e kupton Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili as shprehu sadopak kundërshtim për këtë dhunim që u bë ndaj institucionit të drejtuar prej tij, se askush në botë nuk e merr seriozisht një bankë qendrore që toleron një absurditet të tillë? Kush iu beson të dhënave të kësaj banke për treguesit ekonomikë dhe financiarë të vendit?

A e kuptojnë të gjithë drejtuesit e lartë të shtetit, drejtuesit e komisioneve parlamentare që merren me sigurinë kombëtare dhe sistemin bankar se një depërtim spektakolar nga parking publike në mjediset nëntokësore të Bankës së Shqipërisë, do të ishte një lajm i bujshëm botëror, që do të përbënte një damkë të pashlyeshme për reputacionin e kësaj banke dhe të shtetit shqiptar? A ia vlen një parkim 300 vendësh me këtë çmim?

Banka e Shqipërisë ende nuk ka pastruar imazhin nga dëmi që iu bë me skandalin e vjedhjes në fondin e ruajtjes së rezervës së kartmonedhës, në Departamentin e Thesarit në Linzë. Një tjetër skandal i ngjashëm në selinë qendrore të bankës qendrore do të ishte një goditje vdekësore për reputacionin e saj.

Pas skandalit që i ndodhi Bankës qendrore të vendit me lojën në tregjet valutore në vitet e fundit të regjimit komunist, u desh që asaj t’ i ndryshohej emri, nga Banka e Shtetit Shqiptar, në Banka e Shqipërisë, për të pastruar reputacionin e saj. A mos do të jetë nevoja që edhe tani të bëhet e njëjta gjë, për shkak të lakmisë së pakufishme të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, ndaj të cilit nuk guxon të shprehet kundër guvernatori i Bankës qendrore?

Citynews.al