Nga Fitim Zekthi: Qeveria teknike është akt i sovranit, jo kundër tij

Kategoria

Është e qartë se qeveria dhe kryeministri Rama do të bëjë gjithçka që të mos përmbushë kërkesën e opozitës për krijimin e një qeverie teknike, por është e pakuptimtë që ata të përdorin argumente qesharake dhe apolitike për të kundërshtuar këtë kërkesë. Edhe më e rëndë është gjendja e atyre njerëzve në shtyp dhe opinion publik, që përdorin argumente të ngjashme me të tyret. Qeveria tha në shkresën që paraqiti Ruçi ditën që erdhi komisionerja Mogherini në Tiranë, se ata ishin gati të diskutonin gjithçka, por jo një qeveri që nuk përfaqësonte vullnetin e sovranit. Njerëz të tjerë të shumicës në qeveri apo të shtypit pranë saj thonë se qeveria ka numrat dhe nuk mund të pranojë një qeveri teknike. Ky është thelbi i argumenteve të tyre, të tjerat janë zhurma propagandistike që nisin nga firmosja e “popullit” për zbatimin e Reformës në Drejtësi deri te fjalimet e rëndomta në parlament apo inaugurime ku flitet për botë që nuk do vettingun dhe botë që do vettingun. Giulia Pastorella, e London School of Economics, që ka studiuar mënyrën dhe kushtet në të cilat janë krijuar të gjitha qeveritë teknike të Europës së pasluftës së Dytë Botërore thotë se ato kanë patur për shkak një nga katër arsyet: prania e skandaleve, kriza ekonomike, pamundësia e sistemit të partive për të prodhuar një qeveri dhe për shkak të kompetencave kushtetuese që ka presidenti. Janë gjithsej 37 qeveri në Europën e pasluftës së Dytë Botërore, katër prej tyre vetëm në Greqi. Qeveri teknike ka patur në Bullgari, në Rumani, në Çekosllovaki, Itali, Portugali, Letoni etj. Asnjëherë, askush nuk ka thënë se këto qeveri kanë qenë kundër vullnetit të sovranit. Qeveria e Mario Montit në Itali rrëzoi qeverinë Berlusconi, i cili kishte shumicë absolute deputetësh, qeveria e Papademos në 2011 në Greqi rrëzoi qeverinë Papandreu që kishte po ashtu shumicë absolute deputetësh, Qeveria Ciolos në Rumani rrëzoi qeverinë Ponta që kishte shumicë deputetësh etj. Këto qeveri teknike janë bërë me miratimin e parlamentit, pra me miratimin e sovranit. Nuk po kërkon ndokush në Shqipëri qeveri teknike pa miratimin e parlamentit. As nuk mundet. Duhet thënë që Rama ka shumicë parlamentare si pasojë e koalicionit, por partia e tij gjithsesi nuk ka shumicë e vetme në një kohë që shumë qeveri kanë rënë edhe kur kanë patur të vetme shumicën. Qeveria Papandreu në 2011 dhe ajo Berlusconi po në 2011 ranë për shkak të krizës ekonomike që nisi si pasojë e borxhit të lartë publik. Parlamentet në Itali dhe Greqi, partitë kryesore në këto vende ranë dakord të rrëzonin qeveritë dhe të ngrinin qeveri teknike për të kaluar këtë situatë të rëndë. Qeveria Ponta në Rumani ra si pasojë e pranisë së skandaleve. Në një lokal ku mbahej një koncert rroku ra zjarr si pasojë e të cilit humbën jetën mbi 40 persona. Vonesa e zjarrfikëseve, mosmarrja e masave të duhura, korrupsioni në dhënien e lejeve etj., çuan në protesta dhe bënë që kryeministri Ponta të largohet dhe në vend të tij të emërohet një qeveri teknike. Qeveria u akuzua për korrupsion me tenderë, me koncesione, ministra dhe vetë kryeministri ishin në qendër të akuzave. Qeveria Grivas në Greqi në vitin 1989 u emërua si pasojë e pamundësisë së partive politike, të cilat nuk fituan asnjëra shumicën në zgjedhje. Qeveria Zolotas po në 1989 u emërua si pasojë e kompetencave kushtetuese të presidentit, i cili kur partitë nuk gjejnë dot konsensus në një emër dhe kur asnjëra nuk ka shumicën për të formuar qeveri, emëron kryetarin e gjykatës së lartë ose kryetarin e gjykatës së lartë administrative si kryeministër të një qeverie teknike. Rasti i Shqipërisë nuk është as rasti i qeverisë Grivas, kur asnjëra nuk ka shumicë, as rasti Zolotas kur partitë nuk bien dakord për emrin e qeverisë dhe presidenti përdor të drejtën kushtetuese (që te ne nuk e ka). Rasti i Shqipërisë mund të jetë ose ai i një krize ekonomike të rëndë, ose ai i pranisë së skandaleve. Në qoftë se jemi përballë njërit prej këtyre rasteve, atëherë opozita ka të gjithë të drejtën e saj të këmbëngulë për qeveri teknike. Rasti i një krize ekonomike të tillë që mund të jetë arsye për qeveri teknike nuk është, pavarësisht problemeve me varfërinë apo papunësinë. Ai ka qenë në vitin 1991 kur kryeministri Ylli Bufi i hapi rrugën qeverisë teknike të Vilson Ahmetit. A është vendi përballë skandalesh? Emërimi nga kryeministri i disa deputetëve dhe kryetarëve të bashkive që vinin nga një jetë e rrëmujshme kriminale, që kishin një të kaluar me trafiqe dhe përdhunime, mbrojtja me forcë e secilit prej tyre, tallja me opinionin dhe opozitën kur ajo i denonconte do të kishin hedhur në erë çdo qeveri kudo në botë, edhe në Mozambik apo Botsvana. Vetëm pak ditë më parë një ministër i rëndësishëm ishte në krah të një ish-kryetari bashkie dhe lajmëroi se ish-kryetari i bashkisë do të drejtonte fushatën elektorale. Një ish-deputet është në gjykim për vrasje, një tjetër sapo la mandatin pas presionesh dyvjeçare dhe pasi qëlloi armë në oborrin e komisariatit. Po trefishimi mbjelljes së hashashit a është një skandal? Kryeprokurori i antimafies që ishte në Shqipëri pak ditë më parë tha se në dy vitet e fundit është trefishuar sipërfaqja e mbjellë me hashash. Në Afganistan mbjellja e opiumit është rritur me 7% ndërsa te ne me 300%. Kjo gjendje ka prodhuar njerëz me pushtet që janë në qeveri, parlament dhe zyra të tjera, por edhe njerëz të tjerë që janë klientë ose ortakë të tyre, të cilët ushtrojnë ndikim të madh poshtë deri te njerëzit e thjeshtë dhe ekonomitë e vogla. Nga një pikëpamje e shkencave sociale, Shqipëria sot është kthyer në një vend ku karakteristikë bazë është neopatrimonializmi. Christopher Clapham, një profesor në universitetin e Cambridge thotë se neopatrimonializmi është një sistem i hierarkisë sociale, ku bosë të rëndësishëm përdorin burimet e shtetit me qëllim që të sigurojnë besnikërinë e klientëve në popullatë. Ai ka të bëjë me një marrëdhënie padron-klient që nis nga struktura të larta shtetërore dhe zbret deri tek individët në fshatra. Neopatrimonializmi thotë Clapham është një formë e organizmit në të cilin marrëdhëniet e tipit patrimonial depërtojnë pushtetin politik dhe administrativ, i cili formalisht është i ndërtuar në terma legalë dhe racionalë. Në këto kushte zgjedhje të lira nuk mund të ketë dhe kërkesa për qeveri teknike ndonëse duket e stërmadhe është në fakt e vogël. Qeveria mund të vazhdojë të ndjekë formalisht ligjin dhe të hyjë në zgjedhje e vetme. Zgjedhjet në një demokraci bëhen me opozitën, me alternativën e pushtetit. N.q.s. opozita në mënyrë budallaqe ose si pasojë e paaftësisë së lartë refuzon të marrë pjesë në zgjedhje, atëherë njerëzit emërojnë ose zgjedhin një opozitë tjetër. A jemi përballë kësaj situate? A mund të zgjedhin votuesit e PD-së për opozitë Topin, Blushin apo Bojaxhiun dhe të braktisin PD-në? A mendojnë votuesit e PD se Basha dhe PD duhet të largohen nga politika, e ata nuk janë më opozita për shkak të kësaj kërkese dhe kësaj proteste? N.q.s. jo, atëherë Rama do të largohet pas zgjedhjeve sepse ai ka emëruar një opozitë. Largimi para zgjedhjeve do t’i jepte mundësinë e një gare, do t’i jepte mundësinë të luftonte për të fituar sërish, ndërsa largimi pas zgjedhjeve do të ishte humbja përfundimtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *