Nga Agim Xhafka: Quhet film filmi shqiptar?
Këto ditë zallamahi e madhe për lejimin apo ndalimin e filmave shqiptarë prodhuar në monizëm. Palët sjellin argumentat e tyre dhe debati ka hyrë në hulli ideologjike. Në fakt mendoj se çështja do shtruar në se filmi në atë periudhë quhet film apo jo. Më tej sikur thjeshtohet problemi.
Para se të shfaq një opinion timin më duhet të tregoj një episod nga puna që bëhej atëhere në gazetat shqiptare. Po i quaj gazeta se në fakt ishin almanakë të partisë që mbusheshin vetëm me porosi e udhëzime nga lart,por të ngjyera me pak letrarizëm prej nesh,të punësuarve atje.
Një ditë më thanë se duhej të bëja një reportazh nga Puka. Të thoja se sa të gëzuar ishin njerëzit që iu kolektivizuan dhitë e te mos harroja patriotizmin e zonës. Por në fund m’u tha që kjo duhej shkruar për dy orë se faqja ishte bosh për nesër. Pra ta bëja për Pukën pa qëne në Pukë. Dhe e zgjidha më shpejt se sa mendohej.Gëzimi,Ladi,Petro,Astriti ishin koleget e zyres. Më thanë ta bëja për fshatin Luf. Të shkruaja për mësuese Verën që ishte nga Gjirokastra e thoshte se nxënësit tani mësonin më shumë se bagëtinë nuk e kullosnin më se u kolektivizuan. Veteriner Marku ishte optimist per planin e qumeshtit e të mishit dhe axhë Ndreu tregoi se si u doli ballaz gjermanëve . Ladi,më shtoi një frazë për këtë axhën. Ai i tha pushtuesve:
-Qëlloni,se plumbin do e pres ndër duar!
Kaq bisedova dhe për një orë plot tre faqe A4 i çova në shtypshkronjë.
Të nesermen u lajmerua mbledhje urgjente. E hëngra,mendova. Dhe me të drejtë. Por ja që gabova. Më lavdëruan se shokët e Komitetit Qendror e kishin pëlqyer mjaft shkrimin dhe këndin e shikimit të problemeve.
Kjo dje quhej gazetari. Sot quhet turp dhe banalitet,quhet mediokritet dhe gënjeshtër që bën mù.
Njësoj ka ndodhur dhe me filmin. Në Amerikë i ndjek kanalet shqiptare se bota është bëre kaq e vogël sot. Shoh me nipër e mbesa p.sh një film që një inxhinier furrnalte ka defekt,por lexon librat e shokur Enver dhe në cast fillon muzika,aktorit i qeshin syte,iken me vrap nga krevati me gruan tek puna e shkon fjallë cdo gjë. Film quhet apo…?
Ose nga Perballimi shoh që grurin ua marrin fshatarëve. Më pyesin e kanë vjedhur. Jo,e kanë të tyren,u them. Po pse ia marrin? Hesht e pyes: Film quhet ky? Pa le Toka Jonë që u merret pronarëve !!!
Më tej ne Radiostacioni partizanë zbritur nga malet sillen si hiena me intelektualë qe janë profesionistë në atë lëmë. Për të vazhduar me I teti ne bronx,nje njeri që dikton dhe në familjen që e mjekoi,si një parathënie të luftës së klasave. Me trauma të tilla është shumica e shfaqjeve që ende i kemi para syve. Por a emërtohen filma të gjitha këto? Them se jo. Se që të hynë në këtë zhanër duhet të kenë një subekt të krijuar,por mbështetur mbi realen,të këtë personazhe që veprojnë sipas mendësise së grupit që përfaqësojnë,të ketë një konflikt të besueshëm dhe një ide që sjell emocion e mendim.
Unë vëcoj lojën mjeshterore të mjaft artistëve që edhe pse me lëndë puro politike kanë arritur të sjellin vlera. Por kaq nuk mjafton. E shumta këto filma janë si kinoditare,por të dramatizuar. Sjellin porositë e partisë,bëjnë propagandë e aq. Ndaj nuk ia vlen të debatohet. Televizionet i shfaqin se i kanë falas. Ditën që shteti do u kërkojë pagesë për aktorët atë çast ata do i ndalojnë vetë. Asnjëherë nuk do i transmetojnë më dhe kur t’u marrë malli për to do blini dvd. S’keni rrugë tjeter.