Spitali “Hygeia”, abuzime skandaloze me pacientët e hemodializës

0

Sikurse paralajmëroi një ditë më parë Boldnews.al nis publikimin e shkeljeve të gjetura në spitalin “Hygeia” nga raporti i (DSHSUKS). Raporti ekskluziv që disponon Boldnews.al për Spitalin “Hygeia” zbulon abuzimin me fondet publike për shërbimin e hemodializës, një proces që mban në jetë të sëmurët me veshka.

Të dhënat janë siguruar nga një raport 4 mujor, me Nr. Protokolli 2153, datë  04.05.2015 të përpiluar nga specialistë të Drejtorisë së Shërbimit Spitalor Universitar dhe Kontrollin Spitalor (DSHSUKS).

Sipas auditimit, “Hygeia” nuk i ka ofruar disa pacientëve shërbimin e plotë të hemodializës, pavarësisht se kjo paketë rimbursohet 100% nga buxheti i shtetit. Kjo ngre dyshime të forta për maksimizimin e fitimit duke abuzuar ndaj pacientëve të sëmurë.

Më konkrretisht, raporti evidenton se në kartelat mjekësore me nr. 0687, 7514, 6767, 2297, 5800, 6751, 2417, 8855, 1742, 9009, 7316, 5644, 8320, 5292, 7553, 4159 nuk u gjendën të përshkruara dhe të kryera ekzaminimet që duhet të kryhen cdo 3 (tre) muaj sipas protokollit të paketës së hemodializës, si HBsAg , HbsAb , Anti hcv, Sidreremia, kapaciteti lidhës i hekurit , Acidi urik, CRP.

Për shkeljet e cilësuara më sipër, specialistët e DSHSUKS kanë sanksionuar Spitalin “Hygeia” me 5 milion lekë (të vjetra) gjobë.

Në disa kartela të tjera me nr. 5800, 8320, 5644, 5292, 4159, pacientët kanë qëndruar më pak se  4 orë për seancat e dializës.  Këto veprime janë në kundërshtim me kontratën e Kontratën S/2014-S/2015 mes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) me spitalin “Hygeia” për financimin e paketës shëndetësore të  dializës. Për këtë, specialistët sanksionojnë “Hygeia” me 1 milion lekë (të vjetra) gjobë.

Një tjetër shkelje e këtij spitali privat është se ka përfituar pagesa nga FSDKSH për pacientë të cilët nuk kanë kryer seancë hemodialize.  Nga kontrolli u konstatua gjithashtu se për periudhën e kontrollit Dhjetor 2014 – Mars-2015 në Spitalin Hygeia Tiranë  nuk u gjendën të kryera ekzaminimet higjeno-sanitare të sallës së hemodializës.

Shkeljet e Spitalit “Hygeia” mund të jenë edhe më të rënda, pasi raporti konfidencial është përpiluar vetëm për një periudhë 4 mujore.

Hemodializa tek “Hygeia”

Ofrimi i shërbimit të paketës së Hemodializës në spitalin Hygeia Tiranë bazohet në lidhjet kontraktuale me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) të cilat janë sipas kontratës me Nr. Prot. 3828/4 datë 22.10.2014.

Në vendin tonë janë rreth 900 persona që marrin shërbimin e dializës 3 herë në javë ku deri në vitin 2015, gjysma e tyre e merrnin tek Spitali “Hygeia” dhe pjesa tjetër në Spitalin “Amerikan”.

Sipas raportit konfidencial, në harkun e 4 muajve janë kryer 6496 seanca hemodialize në Spitalin “Hygeia”. Për një seancë dialize që kryen një i sëmurë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) i paguan Spitalit “Hygeia” 11.204 lekë (të reja). Pra, me një përllogaritje të thjeshtë, ky spital privat ka përfituar nga buxheti i shtetit mbi 72.781.184 milion lekë (të reja).

tabela

Kostoja e një seance dialize të miratuar nga shteti është 10670 lekë dhe Spitali “Hygeia” duhet të llogarisë një marzh fitimi të përcaktuar prej 5 %. Por pavarësisht fitimit galopant, “Hygeia” ka abuzuar duke mos kryer një sërë analizash ndaj pacientëve të saj dhe për rrjedhojë ka rritur marzhin e fitimit.

Boldnews.al pritet që në ditët në vijim të publikojë të tjera mangësi të Spitalit “Hygeia” që kanë cënuar kontratën me institucionet shtetërore por dhe me pacientin.

Shantazh dhe presion nga Spitali “Hygeia”

Boldnews.al u kontaktua sot në mëngjes rreth orës 10:04 nga drejtues e Spitalit “Hygeia”. Në bisedën telefonike nga ana jonë iu bë e ditur se jemi gati të përballim faktet dhe raportin shtetëror për këtë spital.

Drejtuesi i Spitalit “Hygeia” përdori gjuhën e forcës dhe të shantazhit me një fjalor rrugaçëror dhe jo të denjë për një mjek.

Për arsye etike të faqes ne nuk po e zbardhim të plotë transkriptin e bisedës, pasi fjalori i përdorur nga zyrtari i “Hygeia”-s është vërtet i rëndë dhe jashtë çdo lloj komunikimi normal të një njeriu normal.

I bëjmë me dije kujtdo që mendon se me rryshfete, shantazhe, kërcenime dhe fjalor vulgar do të na largojë nga misioni ynë për zbardhjen e së vërtetës, e ka të humbur betejën.

Misioni ynë është “Me të vërtetën, pa kompromis!”.

Nga Boldnews.al

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author