Nga Namir Lapardhaja: Unë bëra çmos, por, ti e di, sistemi…

Shkrime

Në filmin “Vdekja e kalit” (viti 1992) ka një episod të jashtëzakonshëm të takimit të xhelatit me viktimën, ku persekutori, tashmë politikan i rëndësishëm dhe i integruar në rrjedhat demokratike të vendit, rastis të takohet me të persekutuarin dhe në përballjen e tyre, aspak epike, ka një shprehje që e ka shoqëruar gjatë diskurin politik në Shqipëri: “Unë bëra çmos, por, ti e di, sistemi…”
Nëse “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”, sistemi është shndërruar në strehën e fundit të të poshtërve, xhelatëve, të korruptuarve, dallaveraxhinjve…
Sa herë që duhet të diskutojmë për periudhën e komunizmit, ish-nomenklatura, gjykatës, prokurorë, spiunë, drejtues të rëndësishëm të asaj kohe, avokatë të zjarrtë dhe të çartur të krimeve dhe monstruoziteteve të tjera të asaj kohe, nxitojnë të strehohen pikërisht tek streha e sistemit. “Sitemi ishte i tillë”, “Ishte koha…”, “Çdokush në atë sistem do të vepronte po njësoj”, “Zbatuan ligjet e kohës” etj.
Sistemi nuk shërben si ndihmëtar dhe lehtësues vetëm kur flasim për kohën e diktaturës.
Ai i vjen në ndihmë edhe narrativës së Kryeministrit aktual, Edi Rama, i cili për sa kohë që i është dashur të rehabilitojë dhe të justifikojë marrëdhënien me aleatin tjetër qeverisës, Ilir Metën, nxiton pikërisht tek sistemi.
Sipas tij, “është sistemi që i korrupton njerëzit, dhe jo e kundërta”.
Edi Rama kur flet për sistem, ka parasysh pikërisht kohën e paraardhësit të tij, duke i mveshur të gjithë të keqiat e gjetshme dhe të mundshme.
Kështu që, edhe pse kanë kaluar 4 vjet nga rotacioni i natyrshëm politik, sistemi i ri pas vitit 2013 qëlloi të jetë jo vetëm i njëjtë, por i korruptoi edhe më shumë individët e sistemit të ri, i shtoi edhe më shumë oreksin për abuzime me tendera dhe koncensione, duke mos pasur një kufi limit mes babëzisë dhe ngopjes.
Pra, sistemi i ri, i ngritur me pompozitet të ububushëm, u shndërrua jo vetëm në imitim dhe kopje të shëmtuar të paraardhësit, por e kaloi ku e ku më shumë, duke e bërë atë të duket amator në shumëçka.
Në gjithë këtë ligjërim mbi sistemin, justifikimet dhe fajësimet ndaj tij, nuk merret në konsideratë një element mjaft i rëndësishëm, i cili, në fakt, është boshti vertebror i çdo ngrehine: individi.
Tymnaja e ngritur, me dhe pa të drejtë, bën që individi të mos duket asgjëkundi, duke vijuar në besimin e vjetër marksist se është shoqëria ajo që e ndërton individin dhe jo e kundërta.
Mirëpo, ky besim i verbër qëlloi të jetë i gabuar, ngase në demokraci dhe në botën moderne është individi ai që e sendërton shoqërinë, dhe jo e kundërta.
Është individi ai që mban përgjegjësi për çdo veprim që kryen, për gjithçka që thotë dhe artikulon.
Përndryshe, faji dhe dënimi do të ishte kolektiv, e njëjtë si merita dhe mirënjohja, dhe gjithsekush do të justifikonte të gjithë veprimet e tij në kundravajtje me ligjin dhe logjikën e shëndoshë duke kërkuar mbrojtje dhe strehë pikërisht tek sistemi.

Risultati immagini per vdekja e kalit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *