Kryetari i Poliçanit i dënuar 5 herë nga gjykatat

Aktualitet

ABC News ka siguruar një kopje të dëshmisë së penalitetit, ku janë pasqyruar me detaje 5 dënimet penale të formës së prerë. Veç dëshmisë së penaliteti ështe dhe dokumenti për shkurtimin e vendimit të gjykatës së Skraparit që mban vitin 1985, ku Zotkaj është dënuar për 4 muaj në riedukim për të kryer punë publike.

Pikërisht këtë vendim, Zotkaj nuk e ka pasqyruar në formularin e parë të “Dekriminalizimit”, duke u bërë shkak që prokuroria ti kërkojë KQZ ndërprerjen e mandatit të Zotkajt.

Sipas prokurorisë, mospasqyrimi i këtij dënimi në formular ka bërë që kreu i Bashkisë së Poliçanit të ketë konsumuar veprën penale të “falsifikimit të formularëve”, akuzë për të cilën tashmë edhe po hetohet nga prokuroria.

Nga ana tjetër, në kërkesën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkohet ndërprerja e mandatit të kreut të bashkisë së Poliçanit, organi i akuzës argumenton se formulari i dytë, i korrigjuar nga Adriatik Zotkaj dhe i pranuar nga KQZ-ja nuk ka vlerë ligjore.

Sipas akuzës, vetëm formulari i parë, i dorëzuar më 26 prill 2016 është i vlefshëm dhe brenda afatit ligjor. Çdo formular tjetër apo material, thuhet nga prokurori, i dorëzuar pas datës 26 prill 2016 në KQZ nuk mund t’i nënshtrohet verifikimit pasi është marr dhe administruar në kundërshtim të hapur të ligjit dhe është formular i pavlefshëm.

Për këtë fakt, thonë prokurorët, kanë nisur edhe hetimet ndaj zyrtarëve të KQZ-së, pasi kanë pranuar korrigjimin e 29 formularëve të parë, në kundërshtim të ligjit.

Ndërkohë Adriatik Zotkaj, sipas dëshmisë së penalitetit, është dënuar 5 herë me vendime penale.

  1. Në vitin 1985 nga Gjykata e Skraparit për akuzën e “fyerjes dhe goditjes për shkak të detyrës”.
  2. Në vitin 1992 Gjykata e Korçës e ka dënuar me 3 vjet burg për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
  3. Në vitin 2001 po Gjykata e Skraparit e ka dënuar me 10 muaj burg për kundërshtim të forcave të rendit.
  4. Në vitin 2002 Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 12 muaj burg për veprime arbitrare dhe falsifikim të dokumenteve.
  5. Një vendim tjetër i gjykatës së Beratit që mban vitin 2006.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *