Nga Mimoza Koçiu: Pse kjo qeveri është kosto për shqiptarët

Analize

Pasi ka refuzuar sistematikisht e publikisht ndryshimet në qeveri, Edi Rama ndryshoi katër ministra të kabinetit të vet, 3 muaj para zgjedhjeve të 18 qershorit.

Lajmi nuk është paqëndrueshmëria e fjalës së kryeministrit, por largimi i Saimir Tahirit, ministrit të tij më të rëndësishëm, të cilin e ka promovuar e mbështetur sistematikisht, edhe kur faktet, kanabizimi i vendit apo forcimi i krimit me lidhjet politike, ishin më kokëforta se vetë akuzat e opozitës, mesazhet që i dërgonin në zyrë ndërkombëtarët, apo edhe imazhi që i nxihej Shqipërisë në mediat botërore.

Rama e ka të qartë se largimi i Tahirit i lexohet drejt, si një kurban për normalizimin e marrëdhënies me Ilir Metën, e se çdo lloj spin-imi i tij, nuk e mund dot këtë perceptim të kalcifikuar publik, i lakuar shpesh gjatë këtij mandati qeverisës.

Mbi tre vite e gjysmë fërkime e përplasje me Ilir Metën, na e provuan edhe njëherë, se interesi i pushtetit është mbi gjithçka, edhe mbi bashkëpunëtorët e afërt, apo edhe mbi sinjalet e qarta të dobësisë, që jep me këtë lëvizje. Nuk dihet nëse largimi edhe i Beqes, Klosit e Çuçit i ka lehtësuar sadopak zhgënjimin Saimir Tahirit, por e sigurt është se i shkarkuar, pa mandat deputeti dhe i dubluar në Tiranë nga Erion Veliaj, rivaliteti me të cilin nuk është sekret për askënd, nuk i shërben forcimit të fushatës në Tiranë.

Nga ana tjetër, largimi i Tahirit nuk do e qetësojë marrëdhënien me Ilir Metën, sepse paralelisht ka një lëvizje të qartë, që dëshmon se mosbesimi mes tyre mbetet i fortë. Zhvendosja e Mimi Kodhelit për fushatë në Elbasan, aty ku Rama ka një tjetër njeri të besuar si Taulant Balla, tregon se socialistët në atë qark e jo vetëm, nuk do garojnë thjesht kundër demokratëve, por kundër vetë LSI-së, që aty ka dërguar Monika Kryemadhin.

Këto janë arsyet e dukshme për të cilat, LSI po kap momentin, për të theksuar dobësinë e kryeministrit. Dy ministra të LSI-së, që ulen çdo javë në tryezën e qeverisë me Ramën në krye, Klajda Gjosha dhe Edmond Panariti artikuluan me zë e figurë, se Meta duhet të bëhet kryeministër, madje Gjosha e argumentoi si zgjidhjen më të mirë për vendin, pasi “Ne duhet të ndalim arrogancën dhe t’i rikthehemi një politike që e duan njerëzit dhe që i shërben njerëzve dhe popullit shqiptar.” Më qartë se kaq LSI nuk mund ta theksonte diferencën e Metës me Ramës.

Edhe pse kryeministri po investohet për ta mbuluar, çadra e Lulzim Bashës e ka bërë efektin. Jo aq për shkak të presionit të opozitës. Eksperienca 18 vjeçare e Ramës në politikë, nuk është shënuar nga ndonjë akt domethënës konsensusi me rivalët e tij dhe këto lloj vendimmarrjesh i ka pasur gjithnjë të imponuara. Imponuesi i konsensusit me opozitën në këto tre vjet ka qenë Ilir Meta. Ishte ai që pengoi iniciativën e njëanshme të Ramës për dekriminalizimin në shtator të 2015-ës, e njëlloj edhe për votimin historik të 22 korrikut të kaluar për reformën në drejtësi.

Prej muajsh Edi Rama po e lut Metën që t‘i bashkohet në koalicion parazgjedhor, e për këtë po përdor çdo formë, edhe shkopin edhe karotën, edhe “kurbanët- ministra“, edhe monitorimin nga afër të çdo LSI-sti me funksion të lartë, edhe markimin e tyre në fushatën e 2017 ës, njëlloj si në zgjedhjet e pjesshme të vitit të kaluar.

Me çadrën e Bashës në bulevard, pesha e Metës rritet në prag të zgjedhjeve. Edhe pse Meta po i kalon me tirada sporadike piruetat e Ramës për ta zhurmuar çadrën me fjalë e gjeste, me çadërza ku fut shoqërinë civile për të mbështetur strategjinë e tij të zhvlerësimit të aksionit opozitar, Meta përmes Gjoshës bëri të qartë se nuk mund të ketë reformë zgjedhore të njëanshme, e se duhet të ketë dialog me opozitën. Çka do thotë se së shpejti, Meta mund të provohet sërish si politikani i kalibrit të lartë, që zgjidh situata e arrin marrëveshje, ndërsa kryeministri mbetet një figurë e dobët, që nuk luan dot përtej fushës së kufizuar të koalicionit qeverisës.

Në mënyrë të pavetëdijshme, këtë imazh po ia forcon edhe vetë kryeministri Rama. I ngecur në grackën e vendimit të zvarritur të Metës, Rama praktikisht po bën vetëdiskretitim publik dhe emrat e ministrave të rinj nuk ia mbulojnë këtë. Aq i madh është halli i Ramës sa në komunikimin javor na tha se riformatimi i qeverisë bëhet që “udhëheqësit tanë politikë të fushatës së 18 qershorit, të fokusohen me energji të reja … në përballimin e një volumi të jashtëzakonshëm të kontakteve me njerëzit që kërkon kjo fushatë”

E pabesueshme që një kryeministër pranon me zë e figurë, teksa është ende në detyrë, se interesi i tij janë zgjedhjet e pas tre muajve, e jo qeverisja e shqiptarëve deri në ditën e fundit të mandatit, siç është votuar. Me këtë justifikim, po na provon se prioritet ka mbledhjen e votave në terren me çdo kusht, e jo reformat për t’i marrë ato në mënyrë të natyrshme.