Nga Artan Gjyzel Hasani : Vorbulla

“Ishte natë, por unë pashë diellin të përflakte horizontin…”
(nga rrëfimi i mikut tim Krenar Xhavara, kujtimit të gruas dhe vajzës të së cilit i kushtohet edhe ky tregim)

Pothuajse muzg kur anija u godit. Dielli kish nisur të perëndonte pikërisht në çastin kur anija e vjetër kish nisur të fundosej bashkë me gratë dhe fëmijët e kycur brenda kabinave të saj. Një ulurimë e pazakontë kishte çarë suprinën e ftohtë të detit për t’u përzjerë më pas me krokatjen e një tufe pulëbardhash që veladoni i muzgut i bënte të dukeshin si korba.

Ai ishte nga te fundit që u hodh nga anija që po mbytej. U kap pas buzëve të saj të ndryshkura që po zhdukeshin ngadalë mes vorbullës dhe dallgëve. Kërkoi me sytë e mëndjes ku mund të ishin ato, mbajti thelle frymën dhe u zhyt duke kërkuar nga dritarja në dritare.
Jo…këto fytyra të tmerruara pleqsh nuk ishin ato…as ajo gojë plot shkumë që ulurinte përtej xhamit…as keta tre fëmijë që nuk kuptonin atë që do të pasonte….as kjo grua në ekstazën syshqyer të vdekjes …as kjo foshnje që po flinte si engjell brenda portbebesë…
Doli në sipërfaqe, u rimbush thellë me frymë dhe u zhyt nga ana tjetër e anijes që tashmë ndodhej e tëra nën ujë. Në një dritare të vockël dalloi dy fytyrat e dashura, atë të gruas së tij të bukur e të re dhe të frutit të dashurisë së tyre, vogëlushes pothuajse motake. Duart e të voglës ishin mbledhur rreth qafës së të ëmës në një përqafim të pafajshëm si në afresket e kishës së vogël ku ishin kurorëzuar një vit më parë. Grushtet e brishtë të gruas godisnin dëshpërimisht mes tmerri dhe paniku xhamin që nuk thyhej, ndersa veshtrimi lutes i syve te saj e kish gozhduar tere qenien e tij mbi kryqin e ankthit.
Doli përsëri në sipërfaqe për t’u mbushur me frymë dhe u rizhyt thellë asaj vorbulle. Tashmë grushtet e saj ishin hapur dhe vendin e tyre e kish zënë një dorë e bukur e hapur hijshëm sikur donte të merrte me të mirë xhamin vrastar të asaj dritareje shprese. Sytë e gruas së re ishin mbërthyer të çapëlyer te ai, por këtë herë ai nuk kishte dalluar frikë në to, as panik, por një qetësi të llahtarshme që i pëshpëriste “ik…ik…është e kotë…e pamundur…shpëto ti të paktën…”, ndërsa ai vazhdonte të godiste egërsisht me tokëzën metalike të rrypit që e kish hequr gjatë zhytjes, xhamin e dritares që mbante peng krijesat e tij më të dashura.

Anija nisi të zhytej më me shpejtësi drejt fundit të detit duke e marrë me vete edhe atë…thellë..gjithnjë e më thellë në gjirin e vorbullës drejt vdekjes së sigurtë…
U afrua a thua se do puthte për të fundit herë dy fytyrat më të dashura të jetës së tij, preku xhamin e akullt, bashkoi pëllëmben e tij me dy duart e përtej xhamit, goditi me kokë xhamin dhe i pafuqishem qau me lote te kripur mes gjakut që i rridhte nga sytë.

Mes bulëzave të ajrit të përzjera me gjak, kish ndjerë mushkëritë sikur po i çaheshin, ndërsa në kokë një turbullirë, një marrje mendsh, nje gjendje që i ngjasonte dehjes, trullosjes, gjumit, delirit.
“Ndiqmë…ndiqmë…Më kap dot?” dhe e qeshura e saj e hareshme mbulonte tërë kodrinën e mbushur me lulëkuqe teksa vraponte teposhtë drejt detit e nga pas ndjente dihatjen e tij që kurrë nuk arrinte ta kapte, përveçse kur ajo, e lodhur nga të vrapuarit dhe deshira për të qenë e tij, lëshohej përdhe duke iu dorëzuar krahëve të fuqishëm të djaloshit aty ku ujërat e kaltëra puthnin bregun.

Hija e zezë e anijes u zhduk poshtë e përpirë nga vorbulla, e bashkë me të, edhe ajo përshëndetje e llahtarshme që dora e së shoqes kish vizatuar për të fundit here, pikërisht atje në kufirin mes jetës dhe vdekjes, për t’u shndrruar pas pak çastesh në nje shkëlqim unaze që dukej sikur do t’u ndriçonte shpirterave udhëtimin e fundit…
Lëshoi duart dhe, ndërsa koka e tij kish mbetur e kthyer pas duke ndjekur llahtarisht me sy qetësinë me të cilën vorbulla kish përpirë anijen, e bashkë me të edhe regëtimat e fundit të shpresës, i kish dhënë trupit me forcë përpjetë. Nga nënuji kish dalluar mbi kokën e tij atë masë të madhe që ndoshta ishte qielli, por nuk kish shquar dot perënditë… Me një përpjekje të fundit të këmbëve e duarve ish ngjitur lart. Duhej të ishte akoma katër-pesë metra nën ujë…dy metra …një …dhe kish dale ne siperfaqe.

Pothuajse ishte errësuar.Nuk kishte fuqi te mendonte… Nuk e dinte nese duhet ishte i lumtur apo fatkeq. Kumbimi i i heshtjes brenda tij kish mbuluar uturimën e një helikopteri që po afrohej. Cuditërisht dielli kish mbetur në horizont i paperënduar si një lot i përgjakur që kish pritur sytë e tij të rridhte ashtu pabesisht qiejve të së nesërmes mbi horizontin e pagojë dhe detin që tashmë i ngopur shtriqte dallgët e tij drejt brigjeve të padukshëm të asaj nate të paharrueshme marsi ….

(2007, nga vellimi me tregime “Rutina Perfekte” bot. 2016)
© Artan Gjyzel Hasani