Klosi më parë doli se hyri. Ministri që ka mbetur më i tronditur

Aktualitet

Ministri që ka mbetur më i tronditur nga vala e ndryshimeve qeveritare ishte Blendi Klosi. Jo vetëm sepse ai kishte hyrë më pas nga gjithë të tjerët në qeveri, jo vetëm sepse ai (në fakt dhe dy të tjerët) u larguan si kontorno e frikës së Ramës për t’u përballur me Tahirin, por edhe për një fakt të tretë. Në motivacionet që u tha Rama, Tahirin e vlerësoi si ndryshim të imazhit të policisë, Beqen si luftëtar kundër lobeve farmaceutike, Çuçin si autor të reformës administrative, ndërsa për Klosin nuk gjeti gjë tjetër, vetëm se termin: “vazhdues i stafetës së Veliajt”.

Dihet se midis Blendi Klosit dhe kreut të bashkisë së Tiranës ka pasur një rivalitet të gjatë ndaj dhe gjetja e këtij epiteti qe ofendues për ministrin e larguar.

Dihet se Klosi është i bindur se karriera e tij në PS po pengohet nga klani Erion Veliaj- Endri Fuga. Madje atij iu kapën pak kohë më parë edhe disa sms ku ankohej se këshilltari i mediave i kryeministrit e zhdukte imazhin e tij nga paraqitjet publike.

Ndaj dhe përmendja e Veliajt në portretizimin e tij u duk e tepruar. Nëse ky nuk ka qenë një lapsus i Ramës, ai mund të përforcojë paranojën se nga qeveria janë larguar një pjesë e mirë e kundërshtarëve të kryebashkiakut. Ndoshta është rastësi, por sidomos Tahiri, përveç Klosit dhe Beqes, renditeshin mes atyre që nuk e honepsnin dot ngritjen e pandashme të Veliajt. (Lapsi.al)