Edhe 5 ministra do të shkarkohen

Rokada e nisur në kabinetin “Rama” nuk do të ndalet vetëm me largimin e Saimir Tahiri, Ilir Beqajt, Blendi Klosit dhe Bledi Çuçit. Në takimet e zhvilluar dje me Kryesinë dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama ka sqaruar motivet që çuan në largimin e 4 ministrave. Para deputetëve dhe drejtuesve të PS-së ai dha të njëjtin argument që përdori dy ditë më parë, kur e justifikoi largimin e ministrave me nisjen e fushatës elektorale.

Burime nga Partia Socialiste tregojnë se kryeministri Rama për shkak të angazhimit të partisë në fushatë nuk do të ndalojë në ndërrimin e ministrave socialistë në kabinet. Ai ka thënë se brenda një muaji do të largojë edhe ministrat e tjerë që drejtojnë qarqet në fushatën elektorale. Pra, brenda pak javësh do të kemi prapë ndryshime në kabinetin qeveritar. Ministrat që rrezikojnë postet janë; Mimi Kodheli, Lindita Nikolla, Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri.  Nuk dihet nëse mund të lëviz edhe zv/kryeministrin Niko Peleshi, i cili mbulon qarkun e Korçës.

Lëvizjet e ministrave të radhës, përveç arsyes për fushatë elektorale, shikohen edhe si masë paraprake e kryeministrit që të mos krijuar pakënaqësi me 4 ministrat që u larguan nga detyra ditët e fundit. Nëse Kryeministri nuk ndjek të njëjtin parim me ministrat e tjerë që janë koordinatorë të PS në Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe qarqet e tjera, grupi i parë i ministrave që u larguan si Tahiri, Klosi, Çudi dhe Beqaj mund ta shohin vendimin e Ramës si hakmarrje. Ndaj largimi i ministrave të rinj nuk është vetëm një respektim standardi i vendosur nga vetë Rama, por edhe shmangie e sherreve edhe përplasjeve në parti. Kryeministri Rama duket se është i detyruar të respektoj rregullin e ri që vendos në parti, duke shmangur dhe kritikat në adresë të tij.

Edhe pse Rama deklaron se zëvendësimet e ministrave nuk i bëri për shkak të PD-së, indirekt ndryshime në kabinet shikohen dhe si një lëvizje fine e tij në raport me opozitën. Por Lulzim Basha nuk po miklohet nga këto shkarkime. Ai thotë se do qeveri teknike, pra jo me Edi Ramën. Nëse punët shkojnë keq me bojkotin e PD, Rama edhe mund ti rrëzojë kollaj ministrat e rinj, sepse e ka me kollaj të largojë ministrat e sapo futur në zyrë, se sa të negociojë me “ujqër” si Tahiri, Bushati, Kodheli, etj.

Përmbysja e kabinetit qeveritar edhe pse ndodhi brenda radhëve të socialistëve, ndikon edhe në raportet PS-LSI. Pavarësisht emrave të veçantë që janë ndërruar, LSI gjithmonë ka qenë e parimit për “impulse të reja në kabinet”.  Me sa duket pas këtyre lëvizjeve marrëdhëniet Rama-Meta janë në nivel të kënaqshëm. Po shkojnë drejt firmosjes se koalicionit? Akoma duhet pritur ! Është opozita në mes. Por lëvizjet e Edi Ramës këto ditë, ndonëse të vonuara, prapë duken se kanë sjellë qetësi në koalicion. Pas largimit edhe të ministrave Kodheli, Nikolla, Bushati, Gjiknuri, etj duket se freskimin e bëri pavarësisht se paksa vonë. Por gjithë problemi qëndron nëse opozita do futet në zgjedhje me këtë           qeveri apo gjithë këto lëvizje janë kot.

Kryeministri e ka pasur mundësinë që të bëjë ndryshime në kabinet që para një viti. Duke shtyrë ndryshimet në kabinet, Rama vetëm sa ka komplikuar pozicionin e tij. Në vetëm dy muaj kohë deri në zgjedhje, sado profesionistë, emrat e rinj nuk kanë kohë që të tregojnë aftësitë e tyre. Së dyti, nëse Rama do të kishte zgjedhur të ndryshonte me kohë disa ministra, sot nuk do të gjendej para presionit që i vjen nga partia. Shumë ministra në 4 vjet janë fuqizuar duke grumbulluar rreth vetes edhe emra të rëndësishëm në parti dhe grupin parlamentar. Ndaj Rama nuk largon thjesht një emër, por krijon pakënaqësi në një grup të madh deputetësh dhe njerëzish me peshë politike në PS.

Edi Rama nuk ka shumë zgjidhje në dorë, pasi nuk ka as kohë. Mund të ndërrojë edhe katër apo pesë anëtarë të kabinetit qeveritar, por, siç theksuam rëndësi ka se si do vendosë opozita. Po nuk hyri në zgjedhje siç thotë, atëhere qeveria teknike po vjen. E drejtë apo jo kryeministrit është para faktit të kryer. Mbetet të shikohet deri me 19 prill dita kur mbaron ligjërisht regjistrimi i koalicioneve partiake në KQZ. Me 20 prill po që se opozita nuk regjistrohet atëhere edhe kjo qeveri, me emra të rinjë apo të vjetër, do ç’regjistrohet sepse ndryshe ka përplasje civile.

Qamil Xhani