Paskal Milo: Në situatën aktuale, e me mosmarrëveshje të plotë nuk mund të shkohet në zgjedhje. OSBE-ja nuk na hyn në punë

Intervista

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo bën një skaner të plotë tensionit të lartë politikë. Në një intervistë për gazetën “Shekull-i”, kreu i PDS-së, jep diagnozën e tij për ngujimin e opozitës, kryeneçësinë e PS-së si dhe jep zgjidhje se si mund të kalohet ngërçi.

Ai komenton dhe debatin për ndryshimet që pritet të bëhen në Kodin Zgjedhor, ku shtron si opsion dhe shtyrjen e zgjedhjeve. “U duhet hequr monopoli dy partive të mëdha në hartimin e Kodit Elektoral e në administrimin e procesit zgjedhor, që të mund kemi një ditë zgjedhje të lira”, tha Milo. Klima politike në vend është e tensionuar. Opozita e ngujuar në Bulevard para kryeministrisë kërkon “qeverie teknike” për realizimin e zgjedhjeve, ndërsa maxhoranca, ose më saktë PS-ja është e gatshme të ulet për negociuar për të gjetur formulën që do të realizojë zgjedhjet të lira parlamentare, por duke hequr si opsion kërkesën për shkarkimin e kryeministrit.

Cila është zgjidhja që jepni ju për të kapërcyer këtë moment kaotik? Alternativat e zgjidhjes se situatës se rëndë politike që është krijuar janë të ndryshme nga këndvështrimi i faktorëve të ndryshëm politikë që nisën nga interesat e tyre partiake. Nuk ka një alternativë të gjithëpranuar, prandaj edhe rruga e zgjidhjes duhet të kalojë përmes kompromisit me dialog. Qëndrimi i të dy palëve në pozita ekstreme veç do ta shtynte zgjidhjen dhe do të sillte rrjedhoja negative në të gjitha drejtimet. Për mendimin tim, nëse duhet të kapen afatet për zgjedhjet në 18 qershor, maxhoranca e para duhet t’i ofrojë opozitës garanci dhe masa konkrete për zgjedhje të lira e të ndershme, sepse kjo e fundit është trembur nga mënyra e rezultati i zgjedhjeve të pjesshme lokale.

Opozita nga ana e saj, duhet të dëshmoj qëndrime realiste e të mos kërkoj gjëra që e bëjnë të pamundur kompromisin. Nuk mund të shkoj me filozofinë “zero game” por me atë “win-win”. Në rast të kundër çdo palë që do të këmbëngul verbërisht në qëndrimet e saj do të jetë përgjegjëse para shqiptarëve e për çdo situatë krize të thellë politike e konfliktuale që mund të gjenerohet. Drejtësia tashmë është anatemuar nga të gjithë, madje dhe nga vetë politika, qeveria ndodhet nën bllokimin e protestuesve, Kuvendi dhe komisionet parlamentare pa përfaqësuesit e opozitës.

A mund të shkohet kështu në zgjedhje? Në situatën aktuale, e me mosmarrëveshje të plotë nuk mund të shkohet në zgjedhje. Ato bëhen me dy palë dhe nëse njëra prej tyre refuzon, nuk mund të ketë zgjedhje në një demokraci tejet të brishtë si kjo e jona. Duke parë qëndrimet diametralisht të kundra të palëve dhe retorikën gjithnjë dhe më të ashpër të opozitës, a ka rrezik që Shqipëria të “kopjojë” skenarin e Maqedonisë, ku prej më shumë se dy vitesh vendi atje është në kaos total? Skenari maqedonas për arsye krejt të tjera mund të përsëritet edhe në Shqipëri.

Nëse ndodh përgjegjësia do të adresohet plotësisht e përfundimisht të dy forcat kryesore politike që mund të mos gjejnë gjuhën e përbashkët. Por që të shmanget mundësia e një skenari të tillë, kur forcat politike kryesore nuk do të kenë vullnet për të arritur kompromisin midis tyre, atëherë si në krizat e mëparshme do të hyjë në lojë faktori ndërkombëtar. Në këtë rast, Shqipëria do të paraqitej para botës si një vend që prodhon gjithnjë kriza, me një klasë politike që nuk meriton të qeverisë këtë vend dhe me një shtyrje të procesit të negociatave për në BE për në kalendat greke. Ka plot arsye dhe argumente që të besohet se politikanë të caktuar shqiptarë për interesat e tyre pushtetore e për t’u shpëtuar gjyqit të historisë për zullumet që kanë bërë janë në gjendje që të djegin Shqipërinë siç edhe kanë bërë në të kaluarën.

Maqedonizimi i Shqipërisë nuk mund të ndalet me kalkulime në bodrumet e politikës por me një politikë të hapur e kurajoze të atyre njerëzve që nuk janë përgjegjës për katrahurën që është krijuar. Propozimi Është hedhur një ide që para çdo zgjedhjeve parlamentare të krijohet një “qeverisë teknike”.

Në gjykimin tuaj, kjo formulë a është një alternativë që do t’i jepte fund kontestimeve të gjithanshme të zgjedhjeve në vend? Personalisht e konsideroj të paarsyeshëm në parim për të krijuar një qeveri teknike para zgjedhjeve parlamentare në një vend që konsiderohet demokratik. Do të ishte një rast unikal sepse nuk e ka asnjë vend në Evropë dhe do të konsiderohej një inovacion politik e legjislativ shqiptar. Por në kushtet shqiptare, kur më pak se kudo respektohen ligjet e nuk vepron veç arsyeja e pushtetit e mosbesim i thellë mes palëve politike, çdo gjë mund të ndodhë. Nuk jam dakord por mund dhe të ndodhë. Ata që vendosin janë barrikaduar në llogore. Të presim si dhe çfarë do t’i bëjnë Shqipërisë këtë herë për keq.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *