Ndryshime pa zgjedhje

Aktualitet

Edi Rama bëri ndryshime në qeveri, ku për të larguar Saimir Tahirin, palosi edhe tre të tjerë. Se kush ia kërkoi largimin e Tahirit, nuk mund të dihet me saktësi për momentin, por duket se shërbime partnere ose udha për t’ia lenë hapur Erion Veliajt në krye të PS-së nëse humbet zgjedhjet Edi Rama.

Të katër ministrat e rinjë Fatmir Xhafa, Olta Xhaçka, Eduart Shalsi dhe Ogerta Manastirliu nuk kanë asgjë për t’u sharë, bile Xhafa-Xhaçka-Shalsi janë figura politike të nivelit të lartë në PS dhe në publik, sidomos Fatmir Xhafa. Ndërsa për Manastirliu nuk mund të flasim saktë pasi nuk ka staturë publike. Kriza nuk ishte te Saimir Tahiri, as të tre ministrat e tjerë. Justifikimi se duhet të ikin për të punuar për PS-në qarqet ku janë deleguar nuk bind asnjeri. Saimir Tahiri më mirë shkonte si ministër në Tiranë nga zyra e ministrit te zyra e PS-së së Tiranës, se sa tani pa makinë. Sikur këta katër ministra që ikën të ishin të vetmit që ishin deleguar për zgjedhjet në qarqe edhe mund ta hanim pretekstin. Por sipas logjikës së Edi Ramës duhet që edhe Niko Peleshi, Ditmir Bushati, Mimi Kodheli, Lindita Nikolla, Damian Gjiknuri apo ndonjë tjetër të linin karriket e ministrit, pasi janë të deleguar në qarqe. Por hoqi pikërisht ata të katër. Pra nuk bindi njeri me justifikimin e tij kryeministri Rama. Më e ndershme do të ishte të thoshte të vertetën. Bile pas fjalës së kryeministrit Rama se “ministrat që ikën ishin nga më të mirët” është krijuar barceleta se “ më mirë të mos punosh si ministër se nuk të heqin!”.

Ndryshime e bëra nuk janë zgjidhje, kur përballë ke opozitën që nuk do të futet në zgjedhje, por as nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve me kryeministër Edi Ramën. Mund të jetë pa sens juridik e  kushtetues kjo kërkesë, por jemi para një fakti të bërë publik dhe nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Do shkohet në qeveri teknike. Nuk dihet kostoja për të arritur qeverinë teknike. Me marrëveshje apo me përplasje popullore?

Me marrëveshje Edi Rama e kishte në dorë pikërisht në këtë rast ndryshimesh. E pati shansin të dilte hero dhe burrë shteti.

Por e humbi. Nuk e kap më. Tani është çështje javësh deri në përplasjen finale.

Spiten Prulli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *