Jep dorëheqjen Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. A kërkon Rama të shpëtojë veten me Tahirin?

Aktualitet

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dhënë dorëheqjen. Lajmi konfirmohet nga burime të Lapsi.al pranë qeverisë.

Saimir Tahiri ka dhënë sot dorëheqjen, duke u larguar nga detyra e ministrit të Brendshëm që e mbante që nga krijimi i qeverisë që doli nga zgjedhjet e qershorit 2013.

Deri pak ditë më parë kryeministri Rama ishte në krah të tij, duke e cilësuar si nga ministrat më të suksesshëm të kabinetit të tij.

Ndaj dhe për këtë arsye, dorëheqja e tij, duket më shumë si një reagim i detyruar nga faktorë të tjerë.

Dy pikëpyetjet më të mëdha janë: a ka lidhje dorëheqja me protestën e opozitës që prej javësh tashmë qëndron në sheshin përballë Kryeministrisë?

Apo ka lidhje me kërkesën e përsëritur edhe pse jo publike të Ilir Metës për largimin e Saimir Tahirit nga detyra e ministrit të Brendshëm, shkruan Opinion.al.

Në rastin e parë, më shumë se një herë kryetari i PD-së Lulzim Basha ka ripërsëritur se largimi i ministirt të Brendshëm nuk do të ndryshojë qëndrimin e opozitës që kërkon një qeveri teknike dhe jo ndryshimin e emrave të kabinetit aktual.

Ndërsa në variantin e dytë, nuk dihet ende se sa mund t’a “kënaqë” kjo dorëheqje kryetarin e LSI-së që prej kohësh edhe pse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë e ka sulmuar ministrin e Brendshëm për kulisa kundër forcës së tij politike apo përmasat e kanabisit në Shqipëri.

Këto pikëpyetje do të marrin përgjigje në orët në vazhdim, kur vetë Saimir Tahiri do të deklarojë publikisht dhe zyrtarisht dorëheqjen e tij. Ndërsa po sot pritet të përcaktohet dhe emri që Edi Rama do të përzgjedhë për të drejtuar Ministrinë e Brendshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *