Nga Indrit Vokshi: Këshillë për Lulzim Bashën mbi “Republikën e Re”

Analize

Kur mbreti i Anglisë donte të divorcohej, ai iu dërgoi kërkesë për këshillim universiteteve të Europës. I pyeti nëse kishte të drejtë të divorcohej. Pra mbreti, shpata, pushteti, iu drejtua dijes.

Njëlloj edhe z.Basha, duhet të kërkojë mendimin e njerëzve të ditur të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Diasporës Shqiptare. Atyre njerëzve që kanë mendime por, nuk i ka thirrur askush asnjëherë, ndaj kanë mbetur duke i diskutuar idetë nëpër kafe.

Republika e Re nuk është as eufemizëm as poezi. Ajo lypset të konkretizohet në norma të reja kushtetuese, psh lehtësimi i referendumit që sot është i vështirë në pamundësi; ligje të reja zgjedhore që çlirojnë sistemin politik nga mpirja dhe lejojnë këdo të kandidojë e fitojë. Ligje të reja penale, ligje të reja civile e tregtare. Ligje mbi territorin dhe ekonominë.

Pjesëmarrja dhe hartimi prej njerëzve të ditur i kësaj platforme, do t’i jepte asaj legjitimitet mbarëkombëtar dhe do t’i vendoste në vështirësi para shqiptarëve ata që nuk do ta mbështesnin.

E votojnë, se votojnë, programi i Republikës Tjetër do të ishte aty, i fortë sa forca e intelektualëve që e kanë hartuar. Republika nuk mund të njihet vetëm prej dekleratave të z.Basha; identiteti i republikës duhet të jetë paketa kushtetuese-ligjore, ligjet e reja duhet të jenë fytyra e republikës.

Kur të ndodhte kjo, platforma sdo ishte më e PD-së por e intelektualëve të kombit të cilët pas vitesh të papërfillur, do kishin mundësi të aplikonin idetë e tyre nëpërmjet PD-së.

PD nuk është vetëm e jona (e demokratëve anëtarë). Është pronë e shqiptarëve të djathtë dhe çdo shqiptari të lirë që përçmon sistemin e sotëm juridiko-politik. Ndaj lypset gjithpërfshirje, sepse edhe një nga elementët që e përbën republikën si koncept, është konsensusi i gjerë për disa institucione e një jetë të përbashkët.