Nga Andi Bushati: Basha ka një kartolinë për të grisur

Që kur ka shpallur platformën e tij radikale më 18 shkurt, duke bërë thirrjen “unë jam gati për luftë”, Lulzim Basha për shumëkënd ka nënshkruar momentin më të vështirë të karierës së tij politike.

Nuk është hera e parë që ai gjendet në syrin e ciklonit.

Ai ka qenë i akuzuar, se abuzoi me mbi 220 milionë euro në rrugën e kombit, se firmosi përkrah Dora Bakojanisit marëveshjen e detit me Greqinë, se ishte në krye të policisë në 21 janar.

Por, për të gjitha këto ai ka pasur mbi supe edhe aureolën e atij që bashkoi me autostradë dy shtetet shqiptare, të politikanit që ishte ministër i jashtëm kur Shqipëria u fut në Nato dhe i brendëshëm kur ajo mori heqjen e vizave.

Pra, në të gjithë trajektoren e tij, kreun e sotëm të PD e ka përndjekur një dyzim. Po aq shumë argumenta sa kishin ata që e urrenin, po aq kishin edhe ata që e mbështesnin.

Ndërsa sot ky ekulibër duket se është prishur. Ky raport ka ndryshuar.

Lulzim Basha po sulmohet nga të gjitha anët.

Nga njëri krah kritikët e tij të përhershëm vazhdojnë të mos e marrin seriozisht. Ata e shohin si një marionetë që Berisha po e përdor për t’i shpëtuar vettingut. Ata e shohin si një njeri në hall, që po bën gjithë këtë rrëmujë, për t’i shpëtuar përgjegjësisë së humbjes në 18 qershor. Ata e shohin si një gjynahqar që po mban peng vendin dhe PD, vetëm se nuk di çdo të ndodhë nesër me të.

Nga krahu tjetër renditen kritikët e kampit të vet, pjestarë të kastës që do status quo-në. Ata po shfaqin gjithnjë e më shumë shenja disidence duke dashur t’i heqin kryetarit të tyre të vetmen armë që ka në dorë: bojkotin e zgjedhjeve. Ata po argumentojnë se PD është një parti elektorale që nuk i është shmagur garës as në vitin e vështirë ’97 dhe kryetari aktual nuk ka të drejtë ta nxjerë nga sistemi. Ata po thonë se çmimin e opozitës së tij të gabuar tre vjeçare nuk ka pse e paguan gjithë partia. Ata po pretendojnë se pafuqia e tij për t’iu imponuar Berishës, nuk mund të fshehet me hara kirin e tanishëm të daljes nga sistemi.

Po t’i shohësh me kujdes fshikullimet që i vijnë nga të gjitha anët, ato mëtojnë të prekin personalitetin e Bashës, deklaratat e tij apo fatin e tij si lider. Por, të gjitha ato sëbashku i shmangen një gjëje shumë më të thjeshtë dhe thelbësore: akteve të tij.

Dhe në politikë, në procesin e ndërlikuar të krijimit të një lideri, akti, veprimi dhe aksioni janë ku e ku më të rëndësishme, krejtësisht të pakrahasueshme, me thashethemnajën, teoritë apo analizat që i rrethojnë ato.

Në qoftëse Lulzim Basha i qëndron deri në fund (kjo mbetet për tu parë) vendimit të tij për të mos shkuar në zgjedhje, e gjithë vorbulla e komenteve që gëlojnë sot për të do të jetë e pavlerë.

Nëse ai i ka vënë vetes si qëllim të tregojë se po lufton me një pushtet kriminal, kleptokrat dhe abuziv, ai nuk ka rrugë tjetër. Nëse ai i ka vënë vetes si qëllim të tregojë se oligarkët do të financojnë fushatën elektorale të Ramës, se mediat e tyre do të bëjnë propagandë për të, se bosët e kanabisit do të blejnë vota për të, ai nuk mund të kthehet më pas. Nëse ai i ka vënë vetes si qëllim të grisë kartolinën e një vendi që duan ta vizatojnë si normal, megjithëse është larg të qenit i tillë, ai është i dënuar t’i përmbahet asaj që ka thënë.

Lulzim Basha sot ka përballë si kundërshtar Edi Ramën. Dhe sa nga gabimet e tij aq dhe nga kriminalizimi i tjetrit, ai e ka pothuajse të pamundur ta dëmtojnë atë më 18 qershor. Prandaj rruga e tij e vetme, akti i tij themelues si lider, triumfi i idesë së tij për ta vizatuar kryeministrin ashtu sikurse është, qëndron vetëm tek bojkoti.

Nëse ai e detyron kryerilindasin të shkojë në zgjedhje pa opozitë, nëse ai e shipe drejt një parlamenti njëngjyrësh si ai i verës së ’96, ai e ka arritur qëllimin e tij. Ai ka arritur ta vizatojë Ramën, në sy të shqiptarëve dhe të perëndimit, ashtu sikurse është, një kopje e shëmtuar e modelit Erdogano-Putinian.

Dhe nga ky moment është fare pak i parëndësishëm se cili do të jetë fati personal i Lulzim Bashës.

Sepse lider nuk është ai që arrin të zvarritet për të shkuar drejt pushtetit, por ai që bën të triunfojë ideja e tij. Bashës këtë mundësi ia jep vetëm braktisja farsës demokratike.

Ai ka në dorë armën dhe mundësinë për ta përdorur atë. Prandaj nëse shumëkush mendon se ai është në impasin më të madh të karierës së vet, gabohet. Ai sot ka mundësinë të bëjë aktin e vet madhor politik. (Lapsi.al)

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments