Xhensila Pere: Pa seks në Big Brother nuk ka show

Stil/Jetë

A mund të ndahen me thikë dashuria nga seksi?
Finalistja e “Big Brother” dhe Miss Universe 2014 thotë jo. Pas kësaj eksperience televizive, po u përkushtohet bizneseve private brenda dhe jashtë vendit, sepse për të ka nisur një jetë e re pas famës në atë lojë, ku u komentua për historinë e dashurisë dhe thyerjen e tabusë në lidhje me seksin.

Po si e komenton Xhensila rregullin numër 1 që produksioni i “Big Brother 9” ka vendosur, duke ndaluar marrëdhëniet seksuale në shtëpi, për t’i mëshuar kështu dashurisë së vërtetë dhe ndjenjës? Xhensila Pere flet në këtë intervistë për “Panorama” rreth pritshmërive të saj për një “Big Brother” pa seks…

Çfarë mendon për rregullin numër një në këtë edicion të ri të “Big Brother”, pikërisht ndalimin e seksit?

Është më se normale që një emision të ketë rregullat e veta. Por në një show si ky, që supozohet të jetë një “reality show”, më duket absurde ky rregull, për vetë faktin që aty pretendohet të ndalosh reagimet njerëzore.

E thua këtë nga eksperienca jote personale?

Po, kam qenë vetë pjesë e kësaj, dhe është e pamundur të kontrollosh ndjenjat, emocionet dhe pasionin që mund të lindë brenda mureve të asaj shtëpie. Ekziston një patentë dhe në asnjë shtet nuk ndalohet kjo gjë. Nëse nuk lejojnë të bëhet një lojë disi reale, për çfarë do të bëhet ky show atëherë?!

Nëse duhet ndaluar patjetër diçka aty në shtëpi, çfarë duhet të jetë ajo?

Do të ishte më mirë të mendonin për dhunën, pra të mos ketë shumë presion psikologjik dhe t’i lejojnë banorët të jenë vetvetja.

Pra, sipas mendimit tënd pa seks nuk do të ketë as show?

Mendoj se duke pretenduar për të rritur vlerat e formatit, do e kthejnë në një burg.

Në fakt ti je finalistja që je komentuar për marrëdhënie seksuale brenda shtëpisë. Si je ndier nga e gjithë kjo histori?

Në momentin që pranon të bëhesh pjesë e asaj shtëpie, je koshiente për faktin që do të gjykohesh dhe do të jesh pre e komenteve, qofshin ato pozitive dhe negative. Dhe Xhensila e ka marrë parasysh këtë gjë, që në momentin e aplikimit. Do të ndihesha keq nëse do të komentohesha për intriga, shpirtligësi, shtirje dhe gjëra që vërtet të bëjnë të ndihesh keq. Do të ndjehesha keq për mungesë karakteri. Ndaj e vetmja gjë që më ka interesuar ka qenë familja ime, mbështetja dhe mirëkuptimi i tyre.
Si mund t’i motivoje personazhet që do të marrin famë nga kjo lojë, dhe që do të përballen me komente të ndryshme e të papritura në jetën e tyre?

Jetojmë në Shqipëri , vendi ku njerëzit përpiqen të ngrenë vlerat e tyre duke përbaltur tjetrin, vendi ku të gjithë fshihen mbas një kompjuteri apo një adrese false dhe paragjykimi është bërë pjesë e rutinës së përditshme. Jetojmë në një botë ku duhet të fshihemi për të bërë dashuri dhe duhet të turpërohemi, ndërkohë që krimi është rrugëve.

Produksioni po e promovon këtë edicionin si formatin që u dedikohet çifteve. Mendon se mund të dashurohet aty, dhe një çift a mund t’ia dalë të mos ndahet?

Mendoj se po, dhe këtë e them nga eksperienca. Por gjithçka vërtetohet mbas daljes nga ajo shtëpi. Pasi aty në njëfarë mënyre je “i detyruar” të jesh çift.

Këtë vit po i mëshohet ndjenjës së pastër, dashurisë së vërtetë. Ekziston kjo lloj dashurie brenda atyre katër mureve?

Në një vend ku thuren vetëm intriga dhe lojëra për të dalë më i/e mira, dashuria nuk ekziston. Edhe në rast se lind diçka, ajo është e njanshme dhe “shfrytëzohet” për lojë nga pala tjetër.

Si e imagjinon “Big Brother 9”, pret shumë nga ky edicion?

Ngelet për t’u parë. Nuk shikoj një rrugë të mesme. Për mua do të do jetë ose super show, ose një dështim.