Gjykatësi Franco Roberti, po heton biznesin kriminal të kontenierëve

Nuk ndalojnë mediat italiane duke shkruar për kontenierët me plehra të rrezikshme italiane që mund të jenë groposur në Shqipëri.

“Qeveria e Shqipërisë lëkundet për “aferën e mbetjeve”, keshtu e titullon shkrimin e saj gazeta italine “Roma” kushtuar çeshtjes së kontenierëve të zhdukuar në Shqipëri.

“Roma” vë në dukje faktin se Rama në fushatë zgjedhore premtoi se nuk do ketë më mbetje nga jashtë, por me ardhjen në qeveri ai ka ndryshuar qëndrim duke firmosur një vendim të Këshillit të Ministrave ku autorizohet importimi dhe tranziti i mbetjeve kimike e industriale në Shqipëri.

Gjithashtu gazeta hedh dyshime të përfshirjes së politikës në këtë trafik dhe për këtë sjell si argument “lobimin” që i është bërë çeshtjes së lejimit importimit të mbetjeve në vendin tonë.

Shkrimi i gazetës “Roma”

Zbulimet e gazetës “Roma” për 1300 kontejnerët me mbetje “të zhdukura” në territorin shqiptar, forcohen ditë pas dite me dokumentacion të ri.
Siç del nga vendimi i Këshillit të Ministrave i shtatorit 2016, i cili autorizoi importin dhe transitin e mbetjeve kimike e industriale, dëshmon pa diskutim interesimin e fortë e sferave të larta të Tiranës për t’i dhënë hapësirë një biznesi që ishte mohuar dhe që askush nuk e mendonte se mund të autorizohej pikërisht nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Ishte ai në fakt që kishte dalë kundër importit të mbetjeve gjatë fushatës elektorale. Një ndryshim kursi kaq i madh duhet justifikuar dhe jo thjesht nga ana politike.
Po hetohet edhe nga ana italiane. Janë të paktën 13 hetime të hapura nga pala italiane për trafikun e mbetjeve jashtë vendit. Në atë pikë sa që Prokuroria kombëtare antimafia, e drejtuar nga gjykatësi Franco Roberti ka ngritur një koordinim për të ndjekur të gjitha zbulimet e këtij biznesi kriminal, që përfshin me kohë të plotë “Ecomafiat” kombëtare, më aktivet në Europë.
Për mbetjet urbane dhe industriale, mafia, Camorra dhe Ndragheta kanë konsoliduar një pakt strategjik për të ‘rrëmbyer’ sitet e asgjësimit si në vendet e Europës Lindore, ashtu edhe ata ballkanikë. “Pakti i landfilleve” (Il patto delle discariche), e kanë përcaktuar…
Çështja më aktuale e hetimeve është pikërisht ajo që i takon 1300 kontejnerëve të mbetjeve të zhdukur në Shqipëri, që ishin nisur drejt Shkupit dhe nuk kanë mbërritur kurrë në destinacion.
Pas zbulimeve të “Romës”, shumë televizione e gazeta, në Shqipëri, Greqi e Maqedoni, po e ndjekin me vëmendje ngjarjen. Siç u tha edhe më sipër, Prokuroria e Durrësit – qyteti portual nga i cili kontejnerët hynë në Shqipëri, të ardhur me anije nga porti italian i Gioia Tauros – pasi nisi hetimet ka lëvizur me shpejtësi në kërkim të përgjigjeve.
Edhe Ministria e Mjedisit, pas verifikimeve të para, ka siguruar se jo vetëm duhet sqaruar misteri i kontejnerëve, por edhe që as ata dhe as shumë të tjerë nuk kanë kërkuar apo marrë lejen e nevojshme për tranzitin e mbetjeve në territorin e vendit. Në Tiranë janë rritur polemikat e opozitës kundër qeverisë së drejtuar nga Rama.
Shefi i opozitës në parlament ka folur për gjenocid ambientalist, duke përdorur një metaforë të fortë, sigurisht, por e përshtatshme duke iu referuar dhjetëra episodeve helmimi të territorit në më pak se një dekadë.
Ndërkohë, pranë ambasadave italiane në Shkup e Tiranë ka një prani të shtuar të efektivëve të Guardia di Finanza, që po hetojnë për kontejnerët e humbur dhe për rrugët e trafikut të helmeve.
Të dhënat e rezervuara të hetimeve që po kryhen nuk janë fryt i ndonjë dhunimi i sekreti hetimor. Konturimi i kësaj çështjeje shqetësuese, e destinuar për zhvillime të sekrete dhe të bujshme, ka dalë nga një shënim i një funksionari të Institutit për tregtinë e jashtme të Shkupit që kishte informuar eprorët e tij për prezencën e njerëzve të ‘policisë fiskale’ italiane dhe madje diplomatëve, të interesuar për të verifikuar origjinën e vërtetë të ngarkesave dhe për të zbuluar, një komplot të ngatërruar të mundshëm të përgjegjësve lokalë që kishin favorizuar biznesin e jashtëligjshëm.
Nga ana tjetër, nëse 1300 kontejnerë mbetjesh zhduken në një vend si Shqipëria, me siguri që trafikantët duhet të kenë bashkëpunëtorë. Dhe dyshimin që edhe politika mund të jetë, në një farë mënyre, në çështjen e mbetjeve e konfirmon ligji që një “lob” deputetësh kërkoi ta kalonte në parlament për të legalizuar importin ndërkufitar të mbetjeve. Ligj, ndër të tjera, i mbështetur fuqishëm nga kryeministri Edi Rama, i cili hedh poshtë në këtë mënyrë premtimet dhënë zgjedhësve gjatë fushatës elektorale.
“Kurrë më mbetje nga jashtë në Shqipëri”, tha atëherë. Dhe, në një vend pa impiant përpunimi, ku edhe landfilli i Tiranës duket si një kazan në qiell të hapur, arkaik dhe i rrezikshëm për shëndetin, mbetet për t’u pyetur se si kishin menduar të merrnin edhe mbetjet e të tjerëve.
Vendimi i qeverisë ka tërhequr mbi vete shumë kritika. Në Shqipëri, gjatë këtyre viteve, është pjekur një sensibilizim i fortë ambiental: qytetarë, shoqata, parti politike, përpiqen të mbrojnë territorin dhe shëndetin e qytetarëve pikërisht nga “karteli” i interesave.
Rama këta interesa i përdori në fushatën elektorale. Kthimi i pashpjegueshëm prapa trazon ujërat, të turbullta që më parë, të politikës shqiptare.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments