Poezi nga Feti Zeneli

Poezi

NENES

Teksa prisja të trokiste
orë e gjumit të vonuar,
nëpër sy filloi të ndriste
një merak i përmalluar.

Ky merak pa fund është nëna,
dritë-ndezura përherë,
nga ajo merr dritë dhe hëna,
kur shkon dielli që të flerë.

Drita që nuk shuhet kurrë,
një ylber që s’ka të dytë,
që sa lind e bëhesh burrë
shpirti i saj s’të ndan nga sytë.

Veç ajo e di ç’është dhimbja,
se ç’është fjala që lëndon,
ç’është përballja edhe bindja
një këshillë që “kurrë s’është vonë”.

“Mbaji kryet lart përherë,
mos t’i ul asnjë trishtim!”
Zëri i nënës vjen si erë,
të jep forcë, të jep guxim.

Qoftë në terrin më të zi,
apo çdo vetmi mbi tokë,
malli i nënës vjen dhe rri,
porsi dora përmbi flokë.

Fotografia e Feti Zeneli

 

STINA E DRITES

Lëndinat gjelbërojnë nga zëra lehonë,
Bletë dhe flutura çelin nëpër drurë,
Burimi, që nga duartë e rrënjës shpëton,
Nis e thyen pasqyra uji nëpër gurë.

Zogjtë i bëjnë retë pupla për vjeshtë,
Në shtëllunga hijesh mbledh pylli diellin,
Deti pa ardhur në brigje fillon të hesht,
Që mos të zgjoj erën, se ajo ndot qiellin.

Muzgu e thur natën me copat e hijeve,
Hëna prej javësh paska ngelur shtazënë,
Tani gjurmët i djeg dhe kandili i yjeve,
Drita dhe ëndërrat janë sy që nuk flënë.

 

TRENDAFAILAT E SHEN VALENTINIT

Aromë dhe ngjyra trëndafili,
Kanë fjalët dhe buzëqeshjet sot,
Në petalet e tij shkruhet idili,
I çdo dashurie të pastër në botë.

Ndaj trëndafilat i mblidhni me kujdes,
Se kanë dhe gjemba që shpojnë,
Por gjëmbat s’dinë t’u kërkojnë ndjesë,
Duarve, që në dashuri nxitojnë.

Trëndafilat i dhuroni përditë,
Jo vetëm në katërmbëdhjetë shkurt,
Që kur të vjeshtohen një ditë dashuritë,
Parajsën ta kenë të sigurt.

Ndaj i mbillni trëndafilat në zemër,
Që të çelin në çdo rrahje të saj,
Se veç aty do të ketë një emër,
Të lulëzoj pranë tjetrit, si në Maj.

Fotografia e Feti Zeneli
ENDRRAT E FEMIJERISE

Atje në viset e fëmijërisë sime,
Ëndrrat kanë mbetur ende të mitura,
Me hije gishtash po bëjnë vizatime
Mbi shpendë e flutura, …veç krahëndritura.

Për ëndrrat, lulet më të bukura me frymë
Çelin në qiellin e kaltër pa anë,
Edhe pse ç’është e puthura nuk e dinë
Trëndafil dhe vesë buzët i kanë.

Si u ndava me ëndrrat kështu, si u ndava?!
Mbi pesëdhjetë e ca vite jetë nga larg,
Takimin me to, një mall që s’e harrova,
E derdha pikë-pikë mbi këngë e mbi varg.

Por edhe të vijnë, ato s’do më njohin,
Do më quajnë “një xhajë të mpakur, kushdo”,
Me pak përçmim ndoshta më shohin,
Mbase dhe thonë: “Një përrallë na trego!”…

Fotografia e Feti Zeneli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *