Disa nga partitë e spektrit të djathtë regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e 18 Qershorit.

Disa nga partitë e spektrit të djathtë kanë depozituar dokumentacionin ligjor për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si subjekte të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit për parlamentin e ri.

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi dhe kreu Partisë Aleanca Demokratike, Eduart Abazi, kanë çuar pranë KQZ dokumentacionin ligjor për t’u regjistruar në zgjedhje, duke konfirmuar kësisoj pjesëmarrjen në garën e 18 Qershorit.

Po ashtu, krerët e 10 partive të djathta, aleate të Partisë Demokratike, thanë se do të referojnë dokumentet në KQZ brenda afatit të parashikuar në Kodin Zgjedhor.

Nga ana tjetër, partia më e madhe e opozistës, PD, ende nuk e ka bërë diçka të tillë dhe vetëm ka dhënë deklarata jo të qarta në lidhje me futjen në zgjedhje. PD vazhdon të protestojë tek çadra para Kryeministrisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Afati për regjistrimin në zgjedhje 
Neni 64
Regjistrimi i partive politike në zgjedhje
1. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
2. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ:
a) vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë;
b) emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët;
c) emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë;
ç) specimenin e vulës së partisë;
d) emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë; dhe
dh) emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në