Partizani sulmon sërish FSHF-në

0

Pas dënimit të fundit të Komisionit të Disiplinës, nuk ka të sosur “lufta” e Partizanit me federatën. Lëvizja e fundit e të kuqve është kërkesa që ata i kanë drejtuar sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, ku shpallin “non grata” shefin e garave, Lysien Nurishmi.

“Panorama Sport” ka siguruar kërkesën që Partizani i ka dërguar sekretarit Shulku, pasi pjesa dërrmuese e ndëshkimeve ka ardhur në ndeshjet ku delegat ka qenë shefi i garave. Partizani i konsideron tendencioze dhe të pavërteta raportimet e Nurishmit, kështu që ata nuk do ta pranojnë atë në asnjë ndeshje të mbetur të këtij sezoni, por edhe në edicionet pasardhëse.

Ja kërkesa e Partizanit:

“I nderuar Z. Shulku. F.K.Partizani sh.a, në cilësinë e anëtarit të licencuar të FSHF-së, ju drejtohet përmes kësaj shkrese duke kërkuar heqjen e së drejtës për t’u caktuar si zyrtar i ndeshjes nga FSHF për Z.Lysien Nurishmi, për të gjitha sfidat e kampionatit kombëtar të Kategorisë Superiore apo Kupën e Shqipërisë, ku ekipi ynë do të marrë pjesë si për sezonin futbollistik aktual, ashtu edhe për të gjitha sezonet e tjera futbollistike që do të zhvillohen në të ardhmen.

Sipas vlerësimit tonë, Z. Nurishmi, në cilësinë e zyrtarit të ndeshjes (delegatit të FSHF), ka shfaqur qëndrime të pavërteta, të pjesshme dhe me dy standarde në trajtimin e rrethanave të ngjarjes, duke raportuar në mënyrë subjektive dhe tendencioze problematikat që lidhen me sjelljen e tifozërisë së Partizanit dhe mbarëvajtjes së takimeve në të cilat klubi ynë ka marrë pjesë.

Nga një analizë e thjeshtë të ndeshjeve të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin aktual, në të cilat ekipi i Partizanit ka marrë pjesë, Z. Nurishmi ka qenë i caktuar si delegat i ndeshjes në 10 (dhjetë) raste, nga të cilat për 6 (gjashtë) ndeshje jemi penalizuar nga Komisioni i Disiplinës me gjoba dhe luajtje ndeshjesh pa spektatorë, bazuar në raportet që ky përfaqësues ka dërguar pranë këtij organi. Më konkretisht:

Java 4/ Partizani-Tirana, Delegat i FSHF, Z. Lysjen Nurishmi

Vendim i Disiplinës: Partizani, për sjellje të gabuar të spektatoreve, duke hedhur mjete ndezëse në fushë, duke shkaktuar ndërprerjen të shkurtër të lojës, dënohet me zhvillimin e 1 (një) ndeshjeje pa spektatorë në stadiumin përkatës.

Java 8/ Korabi-Partizani, Delegat i FSHF, Z. Lysjen Nurishmi

Vendim i Disiplinës: Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve në mënyrë të përsëritur, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. Gjithashtu, në bazë të nenit 13 të KDS, paralajmërohet se, në rast përsëritjeje, masat disiplinore do të përshkallëzohen.

Java 9/ Partizani-Skënderbeu, Delegat i FSHF, Z. Lysjen Nurishmi

Vendim i Disiplinës: Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve në mënyrë të përsëritur, duke hedhur mjete ndezëse brenda rrethimit të fushës, duke ofenduar në grup e duke shpalosur parulla ofenduese dënohet me 4 (katër) ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës. Detyrohet Partizani të zhdëmtojë stolat e stadiumit ‘Elbasan Arena’.

Java 12/ Partizani-Teuta, Delegat i FSHF, Z. Lysjen Nurishmi: Nuk ka.

Java 13/ Tirana-Partizani, Delegat i FSHF, Z. Lysjen Nurishmi: Nuk ka.

Java 14/ Partizani-Kukësi, Delegat i FSHF, Z. Lysjen Nurishmi: Nuk ka.

Java 18/ Skënderbeu-Partizani, Delegat i FSHF, Z. Lysjen Nurishmi

Vendim i Disiplinës: Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke përdorur shprehje fyese dhe lëshuar mjete ndezëse, dënohet me gjobë në masën 150.000 (një- qindepesëdhjetë mijë) lekë.”

Java 20/ Vllaznia-Partizani, Delegat i FSHF, Z. Lysjen Nurishmi: Nuk ka.

Java 22/ Partizani-Tirana, Delegat i FSHF, Z. Lysjen Nurishmi

Vendim i Disiplinës: Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke përdorur mjete ndezëse, duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës e duke përdorur fjalor ofendues ndaj kundërshtarit, dënohet me zhvillimin e 1 (një) ndeshjeje pa spektatorë.

Java 23/ Kukësi-Partizani, Delegat i FSHF, Z. Lysjen Nurishmi

Vendim i Disiplinës: Partizani, për sjellje të gabuar të tifozërisë së saj në mënyrë të përsëritur, dënohet me 4 (katër) ndeshje pa spektatorë në ndeshjet e radhës. Detyrohet Partizani të zhdëmtojë stolat e thyer në stadiumin ‘Zeqir Ymeri’ në qytetin e Kukësit.

Nisur nga fakti që klubi ynë për këtë sezon futbollistik është penalizuar nga vendimet e Komisionit të Disiplinës në 8 (tetë) raste, 6 (gjashtë) nga të cilat kanë ardhur si rezultat i raportimeve subjektive dhe tendencioze të Z.Nurishmi, në cilësinë e delegatit të FSHF, ne vlerësojmë se caktimi i tij nga FSHF si zyrtar i ndeshjeve ku do të marrim pjesë, do të ndikonte negativisht në integritetin e ecurisë së kompeticioneve të organizuara nga FSHF në të cilat klubi ynë merr pjesë.

Për këtë arsye kërkojmë që Z.Lysien Nurishmi t’i hiqet e drejta për t’u caktuar si zyrtar i ndeshjes nga FSHF për të gjitha sfidat ku ekipi ynë do të marrë pjesë, qofshin këto të vlefshme për Kategorinë Superiore apo dhe për Kupën e Shqipërisë”.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author