Edi Paloka: Nëse pas datës 18 Qershor, Rama do të hyj në zyrë me vota droge, do ta tërheqim zvarrë

Politike

Partia Demokratike ka paralajmëruar kryeministrin Rama që të mos guxojë të hyjë në zyrë pas 18 qershorit. Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka kërcënoi se nëse pas kësaj date, Rama do të hyj në zyrë pa marrë votat e shqiptarëve me zgjedhje të lira dhe të ndershme do të përballet me skenarin më të keq të mundshëm.

“Nëse ai (Rama) do të guxojë pas 18 qershorit pa pasur mandatin e shqiptarëve të hyjë në zyrën që nuk i takon më, se si do ta tërheqim pas flokësh apo pas ndonjë gjë tjetër…kjo pak rëndësi ka”, tha Paloka për News 24.

Kreu i deputetëve të PD komentoi gjithashtu idenë që po qarkullon prej ditës së djeshme se nëse PD­ja nuk do të çojë sot emrat e anëtarëve të komisionit të Vettingut, vendin e saj do ta zërë PDIU-ja.

“Ky do ishte fundi. Do vërtetonte atë që kemi kohë që e themi. Rama si një Putin i vogël sepse ai kërkon të emërojë opozitën. Ky do të ishte fundi për të dhe për ata që ka rrotull”, theksoi më tej kreu i grupit të PD-së.

Ai komentoi dhe incidentin mes protestuesve dhe Kryeministrit ditën e djeshme. “Mund të vijë dhe në çadër të japë dorëheqjen. I bën palaçlliqe. Ai shfrytëzon dhe fëmijën e tij duke provokuar para çadrës. Ne nuk i kërkojmë karrigen kryeministrit. Jemi këtu për një qëllim fisnik dhe madhorë që është vota e shqiptarëve. Ne nuk po kërkojmë që të marrim dhe të vendosim Lulzim Bashën në karrige”.

Protesta e PD-së sot ka hyrë në ditën e 16-të. Kërkesa e kreut të demokratëve, Lulzim Basha që ditën e parë të tubimit të demokratëve ka qenë dorëheqje të Edi Ramës dhe qeveri teknike. Ndërkohë që PS nuk ka pranuar të diskutojë asnjë moment për çështjen e qeverisë teknike. Kryeministri Edi Rama është shprehur i gatshëm për të diskutuar për çdo gjë që ka të bëjë me reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi, por nuk ka pranuar të ulët në bisedime për qeveri teknike.

Me kalimin e ditëve të protestës vihet re ashpërsim i deklaratave të drejtuesve të Partisë Demokratike. Një javë më parë, Lulzim Basha u bëri thirrje qytetarëve që t’i nxjerrin zvarrë nga zyrat zyrtarët që abuzojnë me ligjet dhe me qytetarë. Të shtunën, Basha deklaroi se Edi Rama do të përfundojë në burg për shkak të abuzimeve, trafikut të drogës dhe kriminalizimit që i ka bërë administratës. Ndërsa sot, drejtuesi i grupit parlamentar, Edi Paloka ka shkruar dhe më tej duke folur për linçim fizik ndaj Edi Ramës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *