Vullnetarët e Erionit për vetting-un, si vullnetarët e enverit

Analize

Kur aktivistë të PD-së e hidhnin bustin e Enver Hoxhës në lumin Gjanicë, Vullnetarët e Enverit, prisnin atje e merrnin e pastronin dhe e kthenin sërish në vendin ku kishte qenë më parë

Mitingje dhe antimitingje, është një fenomen i njohur në historinë e politikës shqiptare   të këtyre 26 viteve. Ka ngjarë vazhdimisht dhe po ngjet edhe tani. Çadrës së PD-së, i është kundërpërgjigjur çadra e “Vullnetarëve të Erionit” të cilët po mbledhin firma pro vetting-ut, për të lënë të kuptohet se çadra e PD-së nuk e do vettingun. Firmëtar i vetting-ut ishte edhe Erion Veliaj por edhe ministra të qeverisë Rama e zyrtarë  të tjerë të mazhorancës.

Ka ndodhur në vitin 1991, kur studentët e Grevës së Urisë rrëzuan bustin e diktatorit Enver Hoxha në sheshin Skënderbej dhe aksioni i Tiranës u shpërnda nëpër të gjitha rrethet. PD nuk e kishte bekuar këtë lëvizje masive për rrëzimin e përmendoreve të diktatorit sepse e pengonte një marrëveshje me Ramiz Alinë.  Vullnetarët e Enverit, lindën nga PPSH-ja, e cila pas pak ditësh do të quhej Partia Socialiste, kjo që kemi sot në mazhorancë.

Rrëzimi i diktatorit

Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, mbahet mend si një prej ngjarjeve më të rëndësishme, e cila ndau përfundimisht Shqipërinë nga regjimi komunist. Rrëzimi i kulteve ishte një ndër hapat më të rëndësishëm të përshpejtimit të ngjarjeve që do të çonin drejt rrëzimit të partisë shtet. Ky moment vlerësohet si një ndër faktorët e rëndësishëm, që ndikoi në dobësimin e PPSH-së, edhe pse kjo parti i fitoi zgjedhjet e 31 marsit, të cilat u zhvilluan vetëm pak ditë pas rrëzimit të bustit të diktatorit. Nëpërmjet guximit dhe kurajos së studentëve, Partia Demokratike pati përfitimet e veta nga kjo situatë. Në kushtet e reja drejtuesit e saj u bënë më “trima” në kërkesat e tyre drejtuar Ramiz Alisë dhe zyrtarëve të tjerë, për disa kushte më të mira të zhvillimit të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 31 marsit. Por cili kishte qenë roli i tyre në atë aksion politik të rrëzimit të diktatorit?

Dekreti

Një dekret i Kuvendit Popullor më  23 janari 1991, mbronte me ligj emrin dhe bustet e Enver Hoxhës. Ishte një dekret që mori edhe miratimin e  PD-së.

Dekret

Për respektimin dhe mbrotjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe simbolet shtetërore.

Dënohen me 6 muaj deri në tre vjet burg ata shtetas, që dhunojnë monumente kulture, siç janë bustet e figurave të shquara, nga Skënderbeu e deri te Enver Hoxha.

Dekreti parashikon se bustet janë monumente kulture e ruhen nga shteti.

Këtu e ka origjinën edhe qëndrimi i paqartë i Partisë Demokratike lidhur me protestat për rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha.

Lëvizja Studentore e cila shpejt u finalizua në grevë urie e kishte shpërfillur këtë dekret dhe pasojat që sillte cdo veprim ndaj busteve.  Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit, më 20 shkurt 1991, e shembi një pjesë të rëndësishme të fuqisë që kishte ende PPSH. Kjo ngjarje e egërsoi pjesën radikale të byrosë politike dhe brenda tyre lindën kontradikta.  Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, po përpiqej të shfaqej si liberal por i dyzuar midis radikalëve të PPSH-së dhe pjesës tjetër, elitës së re që po lindte në Shqipëri. Ai  investoi në besueshmëri ndaj pjesës tjetër, pra të opozitës. Prej tyre mund të kërkonte marrëveshje të reja. Bazuar në këtë marrëveshje me Ramiz Alinë, Partia Demokratike kishte marrë një vendim pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Të gjitha degët e kësaj partie ishin porositur nga qendra që të mos nxisnin protesta që stimulonin rrëzime bustesh në qytete të tjera. Por kontrolli mbi turmat nuk mund të vendosej lehtë.

Akti i rrëzimit të busteve të diktatorit u masivizua shpejt në të gjithë Shqipërinë. Vendimi i Komisionit Nismëtar të PD-së nuk u zbatua nga asnjë prej degëve të kësaj partie në rrethe.  Reagimi i PPSh-së ishte i shpejtë. “Vullnetarët e Enverit”  u krijua brenda pak ditësh. Kjo inisiativë drejtohej nga Hysni Milloshi, një prej bashkëpunëtorëve  të afërt të Enver Hoxhës. Komunikata e ngritjes së këtyre organizatave në të gjithë vendin u botua në gazetën “Zëri i Popullit” si kryeartikull i saj. “Vullnetarët e Enverit” përbëheshin nga  disa individë të cilët morën përsipër të ruajnë jo vetëm bustet por edhe emrin dhe veprën e Enver Hoxhës. Brenda pak ditësh kjo organizatë u masivizua në të gjithë Shqipërinë, me aktivitete intensive.

Ballë për ballë, dy palët po acaroheshin në qëndrime e veprime. Aktivistët e lëvizjes antikomuniste rrëzonin bustet e Enver Hoxhës, ndërsa “Vullnetarët e Enverit” i rikthenin ato. Situata shpesh bëhej komike. Është rasti i Fierit, kur aktivistë të Lëvizjes Demokratike e hiqnin bustin e Enver Hoxhës dhe e hidhnin në lumin Gjanicë, “Vullnetarët e Enverit”, prisnin atje e merrnin e pastronin dhe e e vendosnin sërish në vendin ku kishte qenë më parë. Sërish kundërshtarët e merrnin dhe hidhnin në lumë dhe situata vazhdonte kështu. Por kjo nisi të shoqërohej edhe me përplasje fizike mes turmave. Historia është treguar nga deputeti i atëhershëm i PD-së, Arben Demeti.

Ja dhe vendi bosh, pasi turma e irrituar e 20 shkurtit shkuli këmbët e diktatorit të derdhur në bronx.

hithra